Fitimet e firmave të mëdha industriale të Kinës u zgjeruan me një ritëm më të shpejtë në tremujorin e parë të sivjetshëm, pavarësisht sfidave në rritje si epidemia e COVID-19, treguan të mërkurën të dhënat zyrtare.

Foto:VCG

Foto:VCG
Fitimet e ndërmarrjeve me të ardhura vjetore prej të paktën 20 milionë juanësh (3.05 milionë dollarë amerikanë) në janar-mars u rritën 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga 5 për qind që ishte ritmi i rritjes i regjistruar në dy muajt e parë, bëri të ditur Zyra Kombëtare e Statistikave.
Fitimet e përbashkëta të këtyre firmave arritën gjithsej në 1.96 trilion juanë në tremujorin e parë.
Zhu Hong, një statisticien i lartë në Zyrën Kombëtare të Statistikave, mendon se fitimet industriale të Kinës patën një rritje të qëndrueshme në këtë periudhë për shkak të uljes së taksave e të tarifave dhe zbatimit të politikave të shumta të shpëtimit, për të ndihmuar në lehtësimin e trysnisë së ndërmarrjeve.

Foto:VCG
Përpjekjet e Kinës për të rritur furnizimin me energji dhe rritja e madhe e çmimeve të mallrave e shkaktuar nga konfliktet gjeopolitike ndërkombëtare kanë shtuar fitimet e industrisë minerare, çka ka çuar gjithashtu në rritjen e shpejtë të fitimeve të përgjithshme industriale, vuri në dukje Zhu.
Por ai paralajmëroi edhe për trysninë në rritje nga inflacioni me burim nga jashtë dhe rishfaqjet sporadike të COVID-19 në vend, që kanë sjellë sfida për prodhimin dhe funksionimin e ndërmarrjeve industriale.
Në tre muajt e parë, fitimet e 24 prej 41 industrive patën rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa 15 të tjera shënuan rënie. Shtimi i fitimeve në tremujorin e parë u ngadalësua me 3.8 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës.(Artan)







