Zhang Boli, një ndër epidemiologët kryesorë kinezë, ka vënë në dukje se politika “zero-COVID dinamike” e Kinës nuk do të thotë "zero-COVID absolute", ndërsa theksoi rolin e mjekësisë tradicionale kineze në trajtimin e COVID-19.

Epidemiolog Zhang Boli në një intervistë kolektive në Shangai për luftën kundër COVID-19, 24 prill(Foto:VCG)
Politika “zero-COVID dinamike” nuk do të thotë parandalim i shfaqjes së ndonjë rasti, vuri në dukje Zhang, anëtar i Akademisë Kineze të Inxhinierisë, duke shtuar se thelbi i saj është zbulimi i hershëm dhe masat e reagimit të shpejtë për të ndaluar vazhdimin e përhapjes së virusit në lagje.
Me dendësinë dhe strukturën e popullsisë së Kinës, lehtësimi i masave të kontrollit do të çonte në pasoja serioze, si përhapja e gjerë e virusit dhe një numër i madh rastesh të rënda dhe vdekjesh, theksoi Zhang.
Ai vuri në dukje po ashtu se trajtimi i dhjetëra shpërthimeve vendore të COVID-19 ka treguar se Kina ka aftësinë për të zbatuar politikën “zero-COVID dinamike” me një kosto relativisht të ulët.
Duke folur për rolin e mjekësisë tradicionale kineze në trajtimin e rasteve asimptomatike e të buta, Zhang tha se ndërhyrja e mjekësisë tradicionale kineze ka qenë e efektshme në uljen e përqindjes së rasteve asimptomatike dhe të buta që kthehen në të rënda dhe në shkurtimin e kohës së trajtimit.
Specialisti gjithashtu vuri në dukje se të moshuarit mbi 60 vjeçë përbëjnë 30 për qind të rasteve të konfirmuara, ndërsa shumë të moshuar kanë sëmundje të tjera që i bëjnë ata më të prirur për t’u sëmurur më rëndë nga COVID-19.

Barërat mjekësore kineze(Foto:VCG)
"Popullsia e moshuar ka nevojë për vëmendjen tonë të veçantë," theksoi ai.
Për trajtimin e të moshuarve të infektuar me COVID-19, Zhang tha se është e rëndësishme të kombinohen njohuritë nga disiplina të ndryshme, të ndërhyhet në fazat e hershme dhe të krijohen strategji të individualizuara trajtimi, duke ndërthurur mjekësinë perëndimore e mjekësinë tradicionale kineze.(Artan)







