
Foto:VCG
Mbledhja vjetore e Forumit të Boaos për Azinë për vitin 2022 u hap të enjten në Boao të provincës kineze Hainan. Presidenti i Kinës Xi Jinping paraqiti në ceremoninë e hapjes Nismën e Sigurisë Globale, që u vlerësua lart nga shumë pjesëmarrës kinezë dhe të huaj. Alessandro Golomblewski Teixeira, profesor në Shkollën e Administratës Publike të Universitetit Tsinghua dhe ish-këshilltar ekonomik i presidentit të Brazilit, vuri në dukje se, kur bashkësia ndërkombëtare po përballet me kërcënimet e dyfishta të epidemisë së koronavirusit dhe krizës gjeopolitike, propozimi i Nismës së Sigurisë Globale është në kohën e duhur.
"Prirja e bashkësisë ndërkombëtare për t’i zgjidhur problemet nëpërmjet luftës është bërë më e theksuar vitet e fundit, por kjo nuk është ajo që duan të shohin popujt e botës. Unë mendoj që kur presidenti Xi propozoi Nismën e Sigurisë Globale, ai po i thoshte botës se Kina do të ndërmarrë veprime brenda kornizës së multilateralizmit. Kjo është shumë e rëndësishme,” theksoi Teixeira.
Chi Fulin, drejtor i Institutit të Reformës dhe Zhvillimit të Kinës (Hainan), vuri në dukje se, në kontekstin e ndërthurjes së epidemisë dhe situatës komplekse ndërkombëtare, Kina propozoi Nismën e Sigurisë Globale dhe shprehu zërin e saj se si bota mund të dalë nga errësira e të shkojë drejt dritës, gjë që ka një rëndësi të madhe për botën.
Huang Bin, zv.presidenti i degës së “Astra Zeneca”-s në Kinë, tha se për të ishte mbresëlënëse që në fjalimin e vet presidenti Xi Jinping theksoi se "është e nevojshme të vazhdojë trajtimi i vaksinave si produkt publik global dhe të sigurohet zotërimi dhe përballueshmëria e vaksinave nga vendet në zhvillim”. Ai tha se, si një ndërmarrje me financim të huaj në Kinë, dega e “Astra Zeneca”-s është e gatshme të japë kontributin e duhur për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. (Çang Çuo)







