Foto: VCG

Foto: VCG

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi që ekonomia e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos (SAR) të Kinës të rritet me 15.5 për qind këtë vit dhe 23.3 për qind vitin e ardhshëm, njoftoi Autoriteti Monetar i Makaos, bën të ditur “Xinhua”.

Duke afirmuar përgjigjen e qeverisë së SAR të Makaos në frenimin e pandemisë dhe vendosjen efektive të burimeve fiskale për të zbutur ndikimin negativ në ekonomi, një raport i FMN-së tregon se kërkesa e brendshme dhe turizmi, në mbështetje të ekonomisë së Makaos, do të reflektohen në një rritje prej 15.5 për qind këtë vit, sipas mbikëqyrësit monetar të SAR.

I mbështetur nga rritja e investimeve dhe integrimi i mëtejshëm i Makaos në Zonën e Gjirit të Madh Guangdong-Hong Kong-Makao, raporti parashikon që rritja ekonomike e Makaos të përshpejtohet në 23.3 për qind vitin e ardhshëm dhe norma e rritjes potenciale afatgjatë të jetë rreth 3.5 për qind.

Sipas raportit të FMN-së, politikat e diversifikimit ekonomik të Makaos do të rrisin qëndrueshmërinë e ekonomisë nëse zbatohen mirë.

Ndërkohë, FMN rekomandoi një qasje shumëdimensionale për zgjerimin e ofertës së fuqisë punëtore të kualifikuar për të çuar përpara diversifikimin ekonomik, duke rritur investimet në infrastrukturën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke promovuar bashkëpunimin rajonal dhe duke përmirësuar rregulloret e biznesit.

FMN njohu gjithashtu përpjekjet e Makaos në promovimin e shërbimeve moderne financiare, duke kujtuar se forcimi i vazhdueshëm i kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të sektorit financiar është i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe integritetin financiar. (Irma)