
Foto: VCG
Një mekanizëm me shumë nivele pranimi dhe trajtimi në spital po luan një rol aktiv në luftën e vazhdueshme të Shangait kundër Covid-19, deklaroi Qiu Haibo, ekspert nga ekipi i sistemit të përbashkët të parandalimit dhe kontrollit të Covid-19 të Këshillit të Shtetit.
Në një intervistë ekskluzive me “Xinhua”, Haibo tha se vala e fundit e shpërthimit në Shangai u shkaktua nga përhapja e nënvariantit BA.2 i Omikron, i cili ka transmetueshmëri më të shpejtë.
Rastet asimptomatike dhe të lehta përbëjnë një përqindje të lartë të totalit të infeksioneve dhe shtrohen në spitale të përkohshme, ndërkohë që institucionet e përcaktuara po trajtojnë grupet vulnerabël, përfshirë të moshuarit, foshnjat, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna.
Rreth 60% e pacientëve në spitalet e caktuara kanë sëmundje të mëparshme. Eksperti theksoi se në këto institucione është forcuar kapaciteti mjekësor për trajtimin e sëmundjeve kardiologjike, respiratore dhe të tjera, për të siguruar kujdes standard dhe në kohë. Sipas tij, edhe pse nënvarianti BA.2 është shumë ngjitës, shumica e infeksioneve zhduken brenda shtatë deri në dhjetë ditë.
Që nga 1 marsi, më shumë se 26.000 njerëz kanë lënë tashmë institucionet e kujdesit në Shangai ose nuk janë më nën vëzhgimin mjekësor. Mesatarja e qëndrimit në spitale të përkohshme është reduktuar në rreth një javë, sipas autoriteteve lokale. (Irma)







