
Shkencëtarët kinezë kanë realizuar komunikimin e drejtpërdrejtë të sigurt kuantik më të gjatë në botë (QSDC), mbi 100 km, sipas Akademisë së Shkencave të Informacionit Kuantik të Pekinit.
Arritja u publikua në një artikull të botuar në fillim të prillit në revistën "Light: Science & Applications".
"Komunikimi i drejtpërdrejtë i sigurt kuantik ka tërhequr vëmendje të madhe dhe është bërë një nga kandidatët më të fortë për komunikim të sigurt në të ardhmen," thuhet në hyrjen e artikullit.
Më parë, gjatësia më e madhe e komunikimit të drejtpërdrejtë të sigurt kuantik e publikuar ishte 18 km.
Kina ka nxitur aplikimin industrial të teknologjisë kuantike dhe ka pasur një varg arritjesh në teknologjinë kuantike vitet e fundit, duke përfshirë satelitin e parë kuantik në botë, një linjë komunikimi kuantik 2 000 km ndërmjet Pekinit e Shangait dhe prototipin e kompjuterit kuantik optik të parë në botë. (Artan)







