foto nga CFP

foto nga CFP

Kina ka publikuar një plan që përmban objektivat kryesorë për zhvillimin e rrjetit të transportit në periudhën e planit të 14-të pesëvjeçar (2021-2025).

Gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë do të arrijë në 50 000 kilometra deri më 2025, nga 38 000 km në vitin 2020, dhe trenat me shpejtësi 250 km në orë pritet të mbulojnë 95 për qind të qyteteve me popullsi mbi 500 000 banorë, sipas dokumentit të publikuar nga Këshilli i Shtetit.

Krahasuar me vitin 2020, në vitin 2025 gjatësia e përgjithshme e hekurudhave në Kinë pritet të arrijë nga 146 000 km në 165 000 km, numri i aeroporteve civile nga 241 në më shumë se 270, gjatësia e linjave të metrosë në zonat urbane nga 6 600 km në 10 000 km, gjatësia e autostradave nga 161 000 km në 190 000 km dhe e rrugëve të brendshme ujore të nivelit të lartë nga 16 100 km në 18 500 km.

Sistemi i transportit do të jetë gjithashtu më i gjelbër. Deri në vitin 2025, 72 për qind e autobusëve në qytete do të përdorin energji të re, nga 66.2 për qind vjet, ndërsa lëshimi i dioksidit të karbonit do të ulet me 5 për qind.

Sipas planit, synimi kryesor është arritja e zhvillimit të integruar në vitin 2025, me arritje konkrete në transformimin inteligjent e të gjelbër të sistemit të transportit.

Ndërsa deri në vitin 2035, planifikohet ndërtimi i "rrathëve 1-2-3" për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave.

Kjo do të thotë se koha e udhëtimit brenda qyteteve, grupeve të qyteteve dhe midis metropoleve do të shkurtohet përkatësisht në një, dy dhe tre orë. Postat nga shërbimet ekspres mund të dërgohen brenda një dite brenda Kinës, për dy ditë në vendet fqinje dhe tre ditë në qytetet kryesore globale.

Në vitin 2025, siguria e transportit të grurit, energjisë dhe xeherorëve në rrugët kryesore do të forcohet dhe zinxhirët e furnizimit të logjistikës ndërkombëtare do të mbrohen më mirë, sipas planit.

Në plan theksohet gjithashtu se do të përmirësohet ndërlidhshmëria ndërkombëtare, duke specifikuar ndër të tjera përpjekjet për të përmirësuar infrastrukturën e transportit me vendet fqinje, për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të linjave të trenave të mallrave Kinë-Evropë dhe për të ndërtuar një "Rrugë Ajrore të Mëndafshit". (Artan/Fang Xiaoyu)