Ditët e fundit, një tren mallrash i nisur nga qyteti Chengdu i Kinës arriti në Immingham, portin me vëllimin më të madh të transportit të mallrave në Britani. Siç bëhet e ditur nga zv.menaxheri i përgjithshëm i kompanisë së trenave të mallrave ndërkombëtare të Chengdu-së Wang Weikun, gjatë 8 vjetëve pas vënies në funksionim të trenave të mallrave Kinë-Europë nga Chengdu, këta trena kanë arritur në më shumë destinacione dhe numri i tyre është shtuar shumë. Tani nga Chengdu çdo vit qarkullojnë mbi 2000 trena mallrash Kinë-Europë. Njëkohësisht ndër mallrat e transportuara prej tyre, përqindja e pajisjeve shtëpiake inteligjente dhe e produkteve elektronike të prodhuara nga Kina është rritur pandërprerë duke arritur në 69 %.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas shpërthimit të pandemisë, zinxhiri global i furnizimit dhe ai industrial u bllokuan. Në këtë sfond, trenat e mallrave Kinë-Europë kanë transportuar në Europë shumë materiale kundër pandemisë dhe pjesë mekanike. Njëkohësisht shumë produkte bujqësore e industriale europiane e të Azisë Qendrore janë transportuar në Kinë nëpërmjet trenave.

Deri në fund të tetorit të këtij viti, janë hapur 73 linja të trenave të mallrave Kinë-Europë që lidhen me 175 qytete të 23 vendeve europiane duke transportuar mbi 50 mijë lloje mallrash. Nga janari deri në nëntor, udhëtuan 13 mijë e 800 trena mallrash Kinë-Europë duke u shtuar 23% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Menaxheri i përgjithshëm i terminalit të mallrave intermodal të Duisburgut të Gjermanisë Bernd Putens u shpreh: “Shumë njerëz janë të mendimit se pandemia do ta goditë rëndë transportin hekurudhor, por në fakt trenat e mallrave Kinë-Europë kanë vërtetuar se trenat mund të ndihmojnë në kapërcimin e vështirësive duke siguruar rritjen e qëndrueshme. Ne kemi vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Kinën si fqinjë të mirë.” (Fani/Artan)