Demokracia është vlerë e përbashkët e njerëzimit dhe jo një patentë që mund të përcaktohet vetëm nga disa vende, u tha në një forum ndërkombëtar mbi demokracinë.

"Forumi Ndërkombëtar për Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore" u hap të shtunën në Pekin. Më shumë se 500 politikanë dhe studiues të lartë vendas dhe të huaj nga mbi 120 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare marrin pjesë në këtë veprimtari dyditore.

Huang Kunming, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kreu i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK; Shen Haixiong, president i Grupit Mediatik të Kinës (CMG); dhe Xie Fuzhan, kryetar i Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore, mbajtën fjalimet kryesore.

Huang theksoi se demokracia është një vlerë e përbashkët e njerëzimit dhe një simbol domethënës i përparimit të qytetërimit njerëzor.

Ai paraqiti katër mendime të PKK-së mbi demokracinë.

Së pari, demokracia është një angazhim i përhershëm i PKK-së dhe popullit kinez. PKK-ja ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të synuar lumturinë për popullin dhe përtëritjen kombëtare të kombit kinez. Ajo ka kryer një eksplorim këmbëngulës për statusin e popullit si zot i vendit.

Së dyti, Huang përsëriti se statusi i popullit si zot i vendit është thelbi i demokracisë popullore.

Së treti, ai nënvizoi demokracinë popullore në të gjithë procesin, duke e quajtur atë një krijim të madh të demokracisë kineze.

Së katërti, Huang theksoi se nuk ka një model demokracie "që u përshtatet të gjithëve", duke vënë në dukje se politikat demokratike të çdo vendi janë të rrënjosura në historinë, kulturën dhe traditën e tyre.

Nga ana e tij, Shen vlerësoi lart efikasitetin dhe drejtësinë e demokracisë popullore në të gjithë procesin të Kinës.

Duke theksuar se nuk ka një model demokracie "që u përshtatet të gjithëve", Shen kritikoi ShBA-në për imponimin e versionit të saj të demokracisë në vendet e tjera, pavarësisht nga dallimet e tyre kulturore dhe historike.

ShBA-ja solli dëme ekonomike dhe fatkeqësi humanitare për popullsinë vendore dhe cenoi paqen e stabilitetin botëror, tha Shen.

Sipas tij, trazirat në “Kapitol Hill” në fillim të janarit, tërheqja e nxituar e trupave amerikane nga Afganistani dhe numri i rekord i vdekjeve në ShBA gjatë pandemisë së COVID-19 tregojnë se demokracia amerikane është e sëmurë rëndë.

Duke u bërë jehonë fjalëve të Huang se demokracia e një vendi duhet të gjykohet vetëm nga populli i tij, Shen tha se demokracia e vërtetë duhet të përdoret për të përmirësuar mirëqenien e njerëzve dhe të mbetet e përqendruar te njerëzit.

Edhe folësit e tjerë në forum shprehën opinionet e tyre mbi demokracinë.

Yukio Hatoyama, ish-kryeministri i Japonisë, tha se, në vend që të mbitheksojë vlerat e saj, ShBA-ja duhet të fokusohet në vlerat e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë që të shmanget “loja ku fituesi” i merr të gjitha në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Stjepan Mesiç, ish-presidenti i Kroacisë, bëri thirrje për multilateralizëm në qeverisjen globale. Ai nënvizoi rolin qendror të OKB-së në qeverisjen globale dhe theksoi se kjo organizatë është e kualifikuar për të promovuar paqen dhe stabilitetin botëror të nxitur nga kauza fisnike e përparimit njerëzor.

Kenneth M. Quinn, ish-ambasador i ShBA-së në Mbretërinë e Kamboxhias dhe këshilltar strategjik i Shoqatës Zonë Qendrore e ShBA-së - Kinë, kujtoi përvojën e tij në Kamboxhia dhe shprehu shpresën se Kina dhe ShBA-ja mund të bashkëpunojnë për të promovuar demokracinë dhe diplomacinë shumëpalëshe brenda kornizës së OKB-së. (Çang Çuo)