
foto nga Xinhua
Në mëngjesin e 16 nëntorit, kryetari i shtetit kinez Xi Jinping zhvilloi një videotakim me presidentin amerikan Joe Biden. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian theksoi në një konferencë për shtypin se ky është videotakimi i parë mes dy liderëve dhe përbën një ngjarje madhore për marrëdhëniet kino-amerikane dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Të dy udhëheqësit ishin të mendimit se ky takim ishte i sinqertë, konstruktiv, thelbësor dhe frytdhënës.
Zhao Lijian-i tha se takimi zgjati tre orë e gjysmë, duke e tejkaluar kohën e planifikuar. Të dyja palët shkëmbyen gjerësisht mendime mbi çështjet strategjike, të përgjithshme dhe themelore të marrëdhënieve kino-amerikane, agjendat e zhvillimit të të dy vendeve, politikat e brendshme e të jashtme dhe ato ndërkombëtare, si edhe çështjet rajonale me interes të përbashkët. Përmbajtja kryesore e këtij takimi mund të përmblidhet si “1, 2, 3, 4”, që do të thotë “një çështje e rëndësishme”, “dy konsensuse”, “tre pika” dhe “katër përparësi”.
“Një çështje e rëndësishme” është ajo mbi Tajvanin, e cila është çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet kino-amerikane dhe është gjithashtu një çështje që duhet diskutuar në çdo shkëmbim mes dy krerëve të shteteve.
“Kryetari Xi Jinping vuri në dukje në takim se parimi i ‘Një Kine’ dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane janë baza politike e marrëdhënieve kino-amerikane, dhe theksoi se realizimi i ribashkimit të plotë të Kinës është aspirata e përbashkët e të gjithë popullit kinez. Presidenti Biden ritheksoi në takim se pala amerikane i përmbahet politikës së ‘Një Kine’ dhe nuk mbështet ‘pavarësinë e Tajvanit’,” tha Zhao Lijian-i.

foto nga Xinhua
“Dy konsensuset” janë, së pari, që të dy liderët kanë theksuar rëndësinë e marrëdhënieve kino-amerikane. Presidenti Xi u shpreh se marrëdhëniet kiono-amerikane janë të rëndësishme jo vetëm për Kinën dhe ShBA-në, por edhe për mbarë botën. Ato duhet të trajtohen mirë e jo të dëmtohen. Për të nxitur zhvillimin e të dy vendeve dhe për të ruajtur mjedisin ndërkombëtar paqësor dhe të qëndrueshëm, nevojiten marrëdhënie kino-amerikane të shëndetshme dhe të qëndrueshme. I dyti është se të dy liderët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj “Luftës së Ftohtë”.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze u shpreh më tej se kryetari Xi vuri në dukje mënyrën se si Kina dhe ShBA-ja mund të kenë marrëdhënie të mira në epokën e re, që është përkatësisht parimi i “tre pikave”. Këto tre pika janë, së pari, respekti i ndërsjellë. Të dy vendet duhet të respektojnë sistemet shoqërore dhe rrugët e zhvillimit të njëri-tjetrit, interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit e të drejtat e zhvillimit të njëri-tjetrit, duke e trajtuar njëri-tjetrin me mënyrë të barabartë, duke kontrolluar dallimet dhe duke kërkuar interesat e përbashkët. Pika e dytë është bashkëjetesa paqësore. E treta është bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella.
Lidhur me katër përparësitë, Zhao Lijian shtjelloi se gjatë takimit, presidenti Xi u shpreh se Kina dhe ShBA-ja duhet të fokusohen në promovimin e katër përparësive. Së pari, të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësinë e fuqive të mëdha dhe të udhëheqin bashkësinë ndërkombëtare për të përballuar sfidat. Së dyti, në frymën e barazisë dhe përfitimeve të ndërsjella, duhet të nxiten shkëmbimet në të gjitha nivelet e në fusha të ndryshme për të sjellë më shumë energji pozitive për marrëdhëniet kino-amerikane. Së treti, të dyja palët duhet të menaxhojnë dallimet dhe çështjet e ndjeshme në mënyrë konstruktive për të parandaluar prishjen dhe daljen jashtë kontrollit të marrëdhënieve kino-amerikane. Së katërti, duhet të forcohen bashkërendimi dhe bashkëpunimi për çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, për të ofruar produkte publike për mbarë botën.
Zhao Lijian-i u shpreh se marrëdhëniet aktuale kino-amerikane janë në një udhëkryq kritik. Ai shprehu shpresën se pala kineze dhe pala amerikane do të ecin në të njëjtin drejtim, do të zbatojnë me veprime konkrete frymën e takimit të të dy liderëve, do të ruajnë dialogun, do të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin e do të kontrollojë dallimet, duke nxitur futjen e marrëdhënieve kino-amerikane në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm dhe paqësor. (Fang Xiaoyu/Artan)







