foto nga VCG

foto nga VCG


Në mbrëmjen e 13 nëntorit, në Konferencën e 26-të të Palëve (COP26) të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimin Klimatik të mbajtur në Gllasgou të Britanisë, u arrit një dokument-rezolutë dhe një konsensus mbi rregullat e zbatimit të Marrëveshjes së Parisit. Kryeministri i Britanisë, vendi pritës i COP26, Boris Johnson, tha se dokument-rezoluta është një hap i madh përpara.

Ky dokument-rezolutë me “rëndësi historike” u miratua për shkak se Kina dhe ShBA-ja kanë arritur bashkëpunim në fushën e klimës. ”Deklarata e përbashkët Kinë-ShBA e Gllasgout mbi forcimin e veprimit klimatik në vitet ’20 të shekullit të 21-të” ka sjellë një energji të rëndësishme për përballimin e ndryshimit global të klimës.

Nga pikëpamja e përmbajtjes, kjo deklaratë është “e fortë”. Për shembull, “ShBA-ja planifikon objektivin e prodhimit 100 % të energjisë elektrike me ndotje zero nga karboni deri në vitin 2035” dhe “Kina do të reduktojë gradualisht konsumin e qymyrit gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar dhe do të bëjë të pamundurën për ta përshpejtuar këtë detyrë“. Po ashtu, të dyja vendet planifikojnë ta raportojnë kontributin e tyre në vitet 2025-2035, duke treguar rëndësinë që i kushtojnë dhe vendosmërinë për të përballuar ndryshimin e klimës.

Si vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina ka qenë gjithmonë e qëndrueshme në fjalët dhe veprat e saj lidhur me trajtimin e ndryshimit të klimës. Premtimi për të arritur nga “kulmi i karbonit” në “asnjanësimin e karbonit” në rreth 30 vjet, do të thotë se Kina do të bëjë pakësimin më të madh të intensitetit të lëshimit të karbonit në botë, në një kohë më të shkurtër se ajo që u është dashur vendeve të mëdha të zhvilluara. Për këtë arsye, kryeministri britanik Johnson shprehu mirënjohjen për Kinën në ceremoninë e hapjes së konferencës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonia Guterres e vlerësoi të dërguarin e Kinës për klimën si kyç për suksesin e COP16.

Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare është ende e shqetësuar për aftësinë e palës amerikane. Revista “The Diplomat” theksoi se bashkësia ndërkombëtare është mësuar të mos u besojë deklaratave të Uashingtonit, dhe kjo vlen edhe për objektivat e tij për pakësimin e lëshimeve në vitin 2030 dhe angazhimet më të fundit për klimën. Shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare nuk janë të paarsyeshme. Qeveria amerikane i konsideron marrëveshjet ndërkombëtare si një gjë të vogël të bazuar në betejat partiake, gjë që ka vonuar seriozisht reagimin global ndaj ndryshimit klimatik.

Këtë herë, a mund ta mbajë ShBA-ja premtimin? Bota ka vënë re se gjatë kësaj konference, i dërguari amerikan për klimën John Kerry u shpreh se ShBA-ja dhe Kina kanë dy mundësi: ose të largohen nga COP26 pa bashkëpunim, dhe kështu mbarë bota të mos e dijë drejtimin e së ardhmes, ose të angazhohen për të punuar së bashku për të ecur drejt një të ardhmeje më të mirë.

Veprimet flasin më shumë se fjalët. ShBA-ja nuk duhet ta zhgënjejë përsëri botën. Qoftë për sa i përket deklaratës së arritur me Kinën, ose dokument-rezolutës së arritur prej COP26, pala amerikane duhet të ndërmarrë veprime konkrete, të ndjekë parimin “Përgjegjësi të përbashkëta, por të ndryshme”, të prijë në detyrën për pakësimin e lëshimeve dhe të ndihmojë vendet në zhvillim mbi përballimin e ndryshimit të klimës me fonde, teknologji e ndërtimin e kapaciteteve.
Pa zbatim, asnjë premtim apo rezolutë nuk ka kuptim. Tani bota ka nevojë për veprime reale dhe ShBA-ja duhet të përmbushë premtimet e saj me të vërtetë. (Fang Xiaoyu/Artan)