
foto nga VCG
Të hënën u hap në Pekin Forumi i Zhvillimit të Xinjiang-ut të Kinës i vitit 2021. Të ftuarit në forum diskutuan rreth temës: “Bashkëndërtimi i nismës ‘Një brez, një rrugë’ dhe zhvillimi i Xinjiang-ut”, duke kontribuuar mençurinë dhe forcën e tyre në thellimin dhe forcimin e ndërtimit të përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë”.
Xinjiang-u, i vendosur në qendër të kontinentit euroaziatik, ka qenë historikisht një portë e Kinës drejt perëndimit. Tani ai është bërë një kanal i rëndësishëm për shkëmbimet midis vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” dhe një pjesë e rëndësishme e hapjes së Kinës drejt perëndimit dhe zhvillimit të një modeli hapjeje të gjithanshme.
Sipas të dhënave statistikore, në gjysmën e parë të këtij viti vlera e përgjithshme e import-eksportit të Xinjiang-ut me vendet e nismës “Një brez, një rrugë” ka arritur në 56.65 miliardë juanë, një rritje prej 23.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zënë 86 % të vlerës së përgjithshme të tregtisë së jashtme të Xinjiang-ut. Kryetari në detyrë i qeverisë popullore të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit, Aierken Tuniyazi, tha: “Ne kemi shfrytëzuar mundësinë e nismës ‘Një brez, një rrugë’ për të përshpejtuar ndërtimin e zonës thelbësore të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe për të promovuar hapjen më të madhe të ekonomisë së Xinjiang-ut, duke mbuluar mbi 50 vende dhe rajone. Të gjitha prefekturat dhe 80 % e lokaliteteve janë futur në epokën e autostradave, rrjeti hekurudhor arrin në të tëra qytetet në nivel prefekture dhe numri i aeroporteve civile renditet në vendin e parë në të gjitha rajonet në rang province të Kinës”.

Ambasadori argjentinas në Kinë Gustavo Sabin Vaca Narvaja ka bërë vizitë në Xinjiang. Ai u shpreh në forum: “Nisma ‘Një brez, një rrugë’ do të sjellë shumë përfitime për botën e Kinën dhe do të ketë ndikim të madh për zonën perëndimore të Kinës, veçanërisht për Xinjiang-un. Zhvillimi i Xinjiang-ut në këto vite ka ndodhur pa dyshim jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe niveli i jetesës së banorëve të Xinjiang-ut është përmirësuar shumë”.
Zv.drejtori i Institutit të Zhvillimit të Tokës dhe Ekonomisë Rajonale të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, tha në fjalimin e tij se Xinjiang-u duhet të nxitë lidhjen me strategjinë e madhe të mbarë Kinës dhe të promovojë transformimin e zonës thelbësore nga një ekonomi “kalimi” në një ekonomi “zbarkimi” dhe nga një ekonomi portuale në një ekonomi rajonale. (Fang Xiaoyu/Artan)







