
foto nga VCG
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian tha të hënën në përgjigje të pyetjeve lidhur me takimin e krerëve të shteteve të Kinës e ShBA-së se ky takim është një ngjarje madhore në marrëdhëniet kino-amerikane, si edhe një ngjarje e rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare. Populli kinez e ai amerikan, si edhe bashkësia ndërkombëtare, shpresojnë se ky takim do të sjellë përfitime për të dy vendet.
Siç është rënë dakord mes Kinës dhe ShBA-së, presidenti kinez Xi Jinping do të ketë një videotakim me homologun e tij amerikan Joe Biden në mëngjesin e 16 nëntorit, sipas orës së Pekinit.
“Tashmë marrëdhëniet kino-amerikane ndodhen në një udhëkryq kritik. Ky videotakim është një ngjarje madhore në marrëdhëniet kino-amerikane, si edhe një ngjarje e rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare. Populli kinez e ai amerikan, si edhe bashkësia ndërkombëtare, shpresojnë se ky takim do të sjellë përfitime për të dy vendet. Kryetari i shtetit kinez Xi Jinping dhe presidenti amerikan Joe Biden do të shkëmbejnë plotësisht mendime në mënyrë të sinqertë e të thellë për çështjet strategjike lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve kino-amerikane, si edhe për problemet e rëndësishme me interes dhe shqetësim të ndërsjellë për të dyja palët,” tha Zhao Lijian.
Zëdhënësi shprehu po ashtu shpresën se pala amerikane do të ecë në të njëjtin drejtim me palën kineze dhe që të dyja palët do të forcojnë dialogun dhe bashkëpunimin, do të kontrollojnë efektivisht mosmarrëveshjet, do të trajtojnë çështjet delikate në mënyrën e duhur dhe do të eksplorojnë rrugët e respektit të ndërsjellë e të bashkëjetesës paqësore mes Kinës dhe ShBA-së si dy fuqi botërore në epokën e re, duke promovuar kthimin e marrëdhënive kino-amerikane në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. (Fang Xiaoyu/Artan)







