Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

"Disa prodhues rusë kanë fituar brenda sekondash miliona juanë në shitjet online të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE)", shkruhet në një artikull të botuar në uebsajtin e gazetës ruse "Rossiyskaya Gazeta". Ndërkohë, media e njohur e Singaporit “Lianhe Zaobao” bëri njoftime të posaçme për entuziazmin e biznesmenëve të këtij vendi për pjesëmarrjen në CIIE, ku thuhet se shtresa e madhe e të pasurve kinezë u ka ofruar sipërmarrësve nga Singapori mundësi të veçanta biznesi dhe kjo është arsyeja pse kaq shumë ndërmarrje singaporiane erdhën në Shangai, pavarësisht përhapjes së pandemisë.

Jo vetëm ndërmarrjet ruse dhe singaporiane e kanë ndier gjallërinë e ekspozitës. Të dhënat statistikore tregojnë se në edicionin e katërt të CIIE-së që u mbyll të mërkurën, u nënshkruan kontrata me vlerë 70.72 miliardë dollarë amerikanë. Para rimëkëmbjes së ngadaltë të ekonomisë globale, ekspozita e importit e Kinës është bërë një platformë me rëndësi të veçantë për t’u zgjeruar në tregun kinez. "Rastësisht, në datën e mbylljes së këtij edicioni para 20 vjetësh, Kina u bë anëtare zyrtare e Organizatës Botërore të Tregtisë. Pas dy dekadash, Kina e tanishme është bërë një fuqi e madhe ekonomike që po ndan me gjithë botën mundësitë e zhvillimit", komenton Grupi Mediatik i Kinës.

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Për shembull, pas shpërthimit të pandemisë, shumica e ekspozitave në Singapor u anuluan. Në CIIE-në e kësaj here, Federata e Biznesit e Singaporit dërgoi një delegacion që përbëhej nga 45 ndërmarrje vendore. Jo vetëm Singapori, por ndër më shumë se 200 kontrata të lidhura nga mbi 1000 pjesëmarrës, ata nga vendet përgjatë nismës "Një brez, një rrugë" kanë marrë shumë porosi prej klientëve kinezë. Një gjë tjetër që vërehet është se numri i pjesëmarrësve nga ShBA-ja shënoi rekord të ri, duke arritur gati 200. Ndërsa, edhe pse qeveria australiane nuk dërgoi delegacion, qeveria e shtetit Viktoria ndau fonde nga buxheti i vet për të financuar dhjetëra ndërmarrje të merrnin pjesë në ekspozitën e Shangait.

Për kompanitë ndërkombëtare, fuqia tërheqëse e tregut kinez është e parezistueshme. Kërkesa gjigante nga rigjallërimi ekonomik dhe transformimi i zhvillimit cilësor krijojnë mundësi të mëdha për ekonomitë e tjera botërore. Presidenti i grupit “BSH Hausgeräte” për rajonin e Kinës së Madhe u shpreh në një intervistë për CMG-në se ai ka vënë në bast me homologët e vet që brenda vitit tjetër, Kina do të bëhet tregu më i madh i kompanisë së tij. Sipas tij, nëse një kompani pëlqehet prej konsumatorëve kinezë, mund të gjejë edhe mirëpritjen e konsumatorëve botërorë.

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Edicioni i 4-t i CIIE-së(VCG)

Në sajë të funksionimit normal të rrjetit logjistik, të magazinimit dhe të porteve, u mundësua njëkohësisht pjesëmarrja në CIIE e ndërmarrjeve nga 33 vendet më të pazhvilluara të botës. Qilimat dhe farat e pishës afgane, apo vaji esencial i trëndafilit nga Damasku, të gjitha këto produkte cilësore hynë në tregun kinez nëpërmjet CIIE-së. Kjo do t’i ndihmojë këto vende të ndajnë përfitimet nga zhvillimi i Kinës dhe globalizimi ekonomik.

"Lajmet e fundit tregojnë se, me t'u mbyllur edicioni i katërt, shumë ndërmarrje kanë rezervuar një sipërfaqe mbi 150 mijë metra katrorë për edicionin e pestë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, duke e kaluar shpejtësinë e organizimit të vitit të kaluar. Mund të parashikojmë se një Kinë që po hapet më tej, do t’i sjellë botës më shumë zhvillim dhe mundësi biznesi", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)