
Foto:VCG
Znj. Peng Liyuan, bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, ka bërë thirrje për më shumë përpjekje botërore për përmirësimin e arsimimit të grave dhe të vajzave në një intervistë të dhënë me shkrim revistës së UNESCO-s "Courier".
Peng është e dërguara e posaçme e UNESCO-s për përparimin e arsimit të vajzave dhe të grave. Ajo u shpreh në intervistë se zhdukja e varfërisë dhe realizimi i barazisë gjinore janë idealet e të gjithë njerëzimit, duke shtuar se Kina, pas përpjekjeve të vazhdueshme, ka arritur eliminimin e varfërisë absolute, ndërsa zhvillimi i arsimit është një masë e rëndësishme për arritjen e këtij objektivi.
"Palët e ndryshme duhet të jenë më të vendosura për të nxitur arsimimin e vajzave dhe të grave, duke punuar së bashku për të garantuar që gjithnjë e më shumë prej tyre të jenë në gjendje të marrin arsim të mirë, çka do të kontribuuojë në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së," shtoi znj. Peng.
Sipas saj, femrat kanë aftësi të nxisin zhvillimin e qytetërimit njerëzor dhe të krijojnë një të ardhme më të ndritur për njerëzimin. Ajo shpreson se më shumë qeveri, organizata ndërkombëtare, OJQ dhe njerëz që synojnë interesin publik do të punojnë së bashku për të fuqizuar gratë e vajzat nëpërmjet arsimit, duke i dhënë impuls ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Në vitin 2015, Kina dhe UNESCO-ja krijuan së bashku çmimin për arsimimin e vajzave dhe të grave. Në intervistë, znj. Peng theksoi se Kina është e gatshme të punojë së bashku me UNESCO-n për suksesin e fazës së dytë të bashkëpunimit rreth këtij çmimi.(Zhang Yan/Artan)







