Kina kundërshton me vendosmëri çdo formë të shkëmbimeve zyrtare dhe kontakteve ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe rajonit të Tajvanit të Kinës, tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një pyetjeje lidhur me një raport të CNN-it për udhëheqësen e Tajvanit Tsai Ing-wen, që thuhet se konfirmoi që "trupat amerikane po stërvitin forca ushtarake në ishull".

Wang i kërkoi Uashingtonit t'i përmbahet parimit të “Një Kine” dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës, duke theksuar se ky parim është themeli politik i marrëdhënieve kino-amerikane.

Ai tha se luftanijet amerikane "kanë treguar muskujt " shumë herë në ngushticën e Tajvanit kohët e fundit, duke dërguar sinjale serioze të gabuara për forcat e "pavarësisë së Tajvanit" dhe duke kërcënuar paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

"Kush është fajtor për shantazhin? Bashkësia ndërkombëtar e di shumë mirë përgjigjen," tha Wang, duke theksuar se ribashkimi i dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit është prirja e historisë, ndërsa "pavarësia e Tajvanit" është një rrugë pa krye.

Sipas tij, çdo lëvizje nga autoriteti i Partisë Demokratike Progresive (DPP) nuk do të ndryshojë faktin që Tajvani është pjesë e Kinës dhe që bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi e njeh parimin e “Një Kine”.

Zëdhënësi paralajmëroi se asnjë vend dhe asnjë individ nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë dhe aftësinë e popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

Në të njëjtën ditë, edhe Tan Kefei, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, kritikoi ShBA-në për përpjekjet për të shtuar kontaktet ushtarake me Tajvanin me mënyrën "pak nga pak".

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me komentet e fundit të autoritetit Partisë Demokratike Progresive të Tajvanit mbi lidhjet ushtarake të ShBA-së e ishullit, Tan u shpreh se Kina do të marrë kundërmasa të vendosura nëse ShBA-ja vazhdon të luajë "kartën e Tajvanit" dhe të dërgojë sinjale të gabuara për forcat separatiste që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit".

Ushtria kineze do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të penguar ndërhyrjen e forcave të jashtme dhe çdo lëvizje për "pavarësinë e Tajvanit", si edhe për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, vuri në dukje ai.