Greqia i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën dhe nuk pranon asnjë argument kundër Kinës, tha kryeministri grek Qirjakos Micotaqis gjatë takimit të tij me këshilltarin e Shtetit dhe ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi të mërkurën.

Me përpjekjet e përbashkëta të të dy palëve, bashkëpunimi në projektin e portit të Pireut ka arritur sukses të madh, u shpreh Micotaqis, duke shtuar se Greqia dëshiron të shfrytëzojë nisjen e Vitit të Kulturës dhe Turizmit Kinë-Greqi si një rast për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e ndryshme dhe mirëpret më shumë turistë kinezë që të vijnë në Greqi pas përfundimit të epidemisë.

Greqia dhe Kina kanë qytetërime të gjera e të thella dhe kanë shumë ngjashmëri, prandaj të dy vendet mund të ofrojnë iluminizëm ideologjik për zgjidhjen e konflikteve gjeopolitike të sotme, tha Micotaqis.

Nga ana e tij, Wang vuri në dukje se Kina dhe Greqia janë përfaqësuesit e dy qytetërimeve të Lindjes dhe Perëndimit, dhe popujt e të dy vendeve kanë ndjenja miqësore për njëri-tjetrin.

Viti i Kulturës dhe Turizmit Kinë-Greqi pritet që të shtojë vitalitetin e marrëdhënieve dypalëshe, tha Wang, duke theksuar se para disa ditëve, ndezja e flakës dhe stafeta e pishtarit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 përfundoi me sukses në Greqi, duke i dhënë energji pozitive frymës olimpike.

Kina dëshiron të punojë me Greqinë për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të nismës "Një brez, një rrugë", për ta bërë portin e Pireut një port të nivelit botëror, për të përshpejtuar ndërtimin e Linjës Ekspres Tokësore-Detare mes Kinës dhe Evropës dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat e reja, si energjia e rinovueshme, u shpreh Wang.

Kina dhe Evropa janë partnere, jo rivale, dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy palëve janë më të mëdha se dallimet ndërmjet tyre, u shpreh Wang, duke shtuar se të dy palët duhet të rigjallërojnë marrëdhëniet mes tyre nëpërmjet dialogut të barabartë nën frymën e respektit të ndërsjellë reciproke. Ai shprehu shpresën se Greqia do të luajë një rol konstruktiv në zhvillimin e qëndrueshëm të lidhjeve Kinë-BE. (Xu Guang)