foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Bashkëshortja e kryetarit të shtetit të Kinës, znj. Peng Liyuan, njëkohësisht e dërguara e posaçme të UNESCO-s për arsimimin e vajzave dhe grave, u ftua të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së Çmimit të UNESCO-s për Arsimimin e Vajzave dhe Grave për vitin 2021 dhe mbajti një videofjalim në Pekin të premten.

Zonja Peng uroi fillimisht fituesit nga Brazili dhe Mozambiku. Ajo u shpreh se qysh nga themelimi në vitin 2015, Çmimi i UNESCO-s për Arsimimin e Vajzave dhe Grave ka pasur vazhdimisht një ndikim pozitiv dhe ka frymëzuar më shumë njerëz që t’i përkushtohen arsimimit të vajzave dhe të grave. Qindra e mijëra vajza dhe gra kanë zotëruar njohuri e mjeshtëri dhe kanë fituar aftësinë e besimin për të ndryshuar fatin e tyre dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre. Gjithnjë e më shumë njerëz kujdesen dhe japin mbështetje për arsimimin e vajzave e të grave, duke bashkuar forcat që promovojnë barazinë gjinore në arsimin global. Fillimi i bashkëpunimit midis Kinës dhe UNESCO-s për Çmimin për Arsimimin e Vajzave dhe Grave është një pikënisje e re dhe do t’i japë një shtysë të re arsimimit të vajzave dhe grave, theksoi Peng Liyuan. Ajo shprehu shpresën se bashkësia ndërkombëtare do t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe do të mbështesë edukimin e vajzave e grave, duke dhënë kontribut të mëtejshëm në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së 2030.

Peng Liyuan vuri në dukje se tani pandemia vijon të përhapet në mbarë botën, duke shkaktuar ndikim të dukshëm negativ mbi arsimin e vajzave dhe grave. “Ne duhet të kapërcejmë vështirësitë, të mbledhim më shumë forca dhe të marrin masa të sakta e efektive për t’u siguruar atyre një arsimim të drejtë dhe cilësor. Së pari, duhet të promovojmë në mënyrë të gjithanshme arsimin digjital të vajzave e grave, përdorimin e plotë të teknologjisë digjitale, ndarjen e burimeve arsimore me cilësi të lartë në internet, shtimin e mbështetjes arsimore për vajzat e gratë në zonat e prekura nga varfëria dhe prej familjeve të varfra dhe përmirësimin e aftësisë së tyre për të përdorur teknologji të reja për punësim e sipërmarrje, duke i ndihmuar të kenë një jetë të lumtur në epokën digjitale. Së dyti, duhet të vazhdojmë të forcojmë edukimin shëndetësor të vajzave e grave, t’i ndihmojmë ato dhe familjet e tyre të forcojnë ndërgjegjësimin shëndetësor dhe të parandalojnë sëmundje të ndryshme, duke përmirësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse shëndetin fizik dhe mendor të vajzave dhe grave,” theksoi ajo.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Znj. Peng u shpreh më tej se çdo grimcë përkushtimi formon një dashuri të madhe. Si e dërguara e posaçme të UNESCO-s për të promovuar arsimimin e vajzave dhe grave, “unë do të bëjë përpjekje me ju për të mundësuar që më shumë vajza dhe gra të përqafojnë një të ardhme më të mirë!” vuri në dukje ajo.

Drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay u shpreh në fjalimin e saj se mbështetja e qeverisë kineze për krijimin e Çmimit për Arsimimin e Vajzave dhe Grave përhap shpresë dhe ka luajtur një rol unik në ndihmën ndaj grave dhe fëmijëve për të realizuar ëndrrat e tyre, veçanërisht në përgjigjen ndaj sfidave të epidemisë. “Falënderoj qeverinë kineze për investimin e saj të vazhdueshëm dhe për nisjen e fazës së dytë të Çmimit për Arsimimin e Vajzave e Grave, dhe falënderoj profesore Peng Liyuan-in për mbështetjen e saj të fortë,” u shpreh Audrey Azoulay.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Përfaqësues të agjencive të projekteve fituese të çmimeve mbajtën fjalime në ceremoni, duke prezantuar përvojat praktive në nxitjen e arsimimit të vajzave dhe grave.

Çmimi për Arsimimin e Vajzave dhe Grave, i krijuara nga Kina në bashkëpunim me UNESCO-n, është çmimi i vetëm i kësaj organizate në fushën e promovimit të edukimit të vajzave e grave. Ky çmim ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e konceptit të barazisë gjinore në arsim e të përvojës praktike, si edhe në zbatimin i përparësive globale për barazinë gjinore, duke tërhequr vëmendje të madhe dhe duke u vlerësuar lart nga bashkësia ndërkombëtare. (Fang Xiaoyu/Artan)