Tre astronautë kinezë - Zhai Zhigang, Wang Yaping dhe Ye Guangfu - do të fluturojnë me anijen kozmike “Shenzhou-13” në modulin bazë të stacionit hapësinor të Kinës të shtunën në 00:23 të mëngjesit sipas orës së Pekinit, njoftoi të enjten gjatë një konferencë shtypi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës.

Misioni i “Shenzhou-13” është i dyti ndër katër misionet me astronautë për ndërtimin e stacionit hapësinor të Kinës, “Tiangong”.

Treshja e astronautëve do të qëndrojë në hapësirë për gjashtë muaj, koha më e gjatë e qëndrimit në orbitë nga astronautët kinezë.

Nisja do të kryhet me një raketë mbartëse “Marshimi i Madh-2F” nga Qendra e Nisjes së Satelitëve “Jiuquan” në Kinën Veriperëndimore. Të gjitha pajisjet në vendin e nisjes janë në gjendje të mirë, tha Lin Xiqiang, zëvendësdrejtor i Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës.

Pas hyrjes në orbitë, anija kozmike do të kryejë një takim dhe lidhje të shpejtë të automatizuar me modulin bazë të stacionit hapësinor orbital “Tianhe”.

Tre astronautët do të jetojnë dhe punojnë me të njëjtin orar si ai i Tokës.

Pas gjashtë muajsh, ata do të kthehen në vendin e uljes “Dongfeng” në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore, duke marrë kapsulën e kthimit. (Çang Çuo)