
Zëdhënësja e MPJ-së kineze Hua Chunying u shpreh të premten në Pekin se Kina shpreson që ShBA-ja t’u kushtojë rëndësi të madhe dhe të ndërmarrë veprime konkrete, për të plotësuar “të dyja listat” e paraqitura nga pala kineze.
“Qysh nga fillimi i dhjetorit të vitit 2018, kur znj. Meng Wanzhou u ndalua pa arsye, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping i ka kushtuar vëmendje të posaçme kësaj çështjeje dhe qeveria kineze ka bërë përpjekje të shumta për të ofruar mbrojtje dhe mbështetje për znj. Meng, duke paraqitur kërkesën solemne për heqjen e akuzave të gabuara ndaj saj dhe për ta kthyer në atdhe sa më parë. Në takimin e zhvilluar në Tianjin pak ditë më parë, Kina i paraqiti ShBA-së dy lista. Njëra kishte të bënte me atë që ShBA-ja duhet medoemos të ndalojë veprimet dhe fjalët e gabuara dhe tjetra ishte për çështjet kryesore të cilave Kina u kushton rëndësi të veçantë. Në këto dy lista, është përfshirë kërkesa e qartë nga Pekini për heqjen e akuzave të gabuara ndaj znj. Meng dhe për ta kthyer atë në atdhe sa më shpejt. Gjatë bisedave telefonike mes liderëve shtetërorë të të dy vendeve, të dy palët kanë zhvilluar komunikime dhe shkëmbime të sinqerta, të thella dhe të gjëra mendimesh mbi çështjet përkatëse. Kryetari Xi Jinping e ka shtjelluar qartë qëndrimin e Kinës mbi çështjen e Meng-ut, duke i kërkuar ShBA-së ta zgjidhë këtë çështje sa më shpejt. Dhe zgjidhja e kësaj çështjeje ka rëndësi pozitive,” tha Hua Chunying në një konferencë shtypi.
Ajo u shpreh më tej që ka vënë re njoftimet e disa mediave, sipas të cilave zgjidhja e çështjes së Meng Wanzhou-t ka hequr një “gjemb” të ngulur thellë në marrëdhëniet Kinë-ShBA. Për shkak të politikave të gabuara të ShBA-së ndaj Kinës, marrëdhëniet kino-amerikane ende përballen me shumë “gjëmba” të tillë. Kina shpreson që ShBA-ja t’u kushtojë rëndësi të madhe dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të plotësuar dy listat e paraqitura dhe të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën. Pala kineze është e gatshme gjithashtu që, në bazë të frymës së bisedës mes dy liderëve shtetërorë, të shtojë bashkëpunimin me palën amerikane për të menaxhuar mosmarrëveshjet dhe për t’i kthyer marrëdhëniet Kinë-ShBA në shinat e duhura të zhvillimit të qëndrueshëm.







