Kina është e hapur për dialog dhe shkëmbime me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi të hënën, duke theksuar se komunikimi duhet të bazohet në barazinë dhe respektin e ndërsjellë.

Ai i bëri këto komente gjatë një takimi virtual me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

"Kina nuk ka qenë dhe nuk do të jetë rivale e NATO -s," theksoi Wang, duke shtuar se Kina ndjek me vendosmëri një politikë të mbrojtjes kombëtare që është me natyrë mbrojtëse dhe është e angazhuar për zhvillimin paqësor.

Kina kurrë nuk do të kërkojë hegjemoni, zgjerim ose sferë ndikimi dhe është e gatshme të ndajë frytet e zhvillimit me vendet e tjera, theksoi ai.

Të dyja palët ishin të një mendjeje që videotakimi ishte pozitiv e konstruktiv, duke u shprehur të gatshme për të shfrytëzuar mekanizmin e tanishëm të dialogut dhe për të promovuar bashkëpunimin praktik në luftën kundër terrorizmit e piraterisë, si edhe lidhur me hapësirën kibernetike dhe paqeruajtjen ndërkombëtare.