
Meng Wanzhou, kryezyrtarja financiare e kompanisë “Huawei”, u largua nga Kanadaja të premten sipas orës vendore me një avion çarter të qeverisë kineze dhe pritet të mbërrijë në atdhe në mbrëmjen e të shtunës e të ribashkohet me familjen e saj, “me përpjekjet e paepura të qeverisë kineze”, njoftoi agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”.
Arresti shtëpiak i Meng-ut në Kanada përfundoi të premten, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë hoqi dorë nga kërkesa për ekstradimin e saj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian shprehu të shtunën, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, përshëndetje për kthimin e Meng Wanzhou-t në atdhe.
Meng-u u arrestua më 2018 në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit me kërkesën e ShBA-së.
Kryezyrtarja financiare e “Huawei”-t Meng Wanzhou nuk i ka pranuar akuzat për mashtrim, tha William Taylor III, një nga avokatët e Meng-ut, në një deklaratë pas përfundimit të arrestit shtëpiak trevjeçar në Kanada.
“Kënaqem shumë që Meng-u dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë kanë arritur një marrëveshje të shtyrjes së procedimit, e cila u miratua nga gjykatësja Donnelly,” thuhet në deklaratë. “Sipas kësaj marrëveshjeje, zj. Meng nuk do të procedohet më tej në ShBA dhe procedurat e ekstradimit në Kanada do të përfundojnë. ” (Wang Lei/ Artan)







