Një qendër të dhënash në ndërtim e “ Tencent”-it në Guian të provincës Guizhou të Kinës, 13 maj 2021. /CFP

Një qendër të dhënash në ndërtim e “ Tencent”-it në Guian të provincës Guizhou të Kinës, 13 maj 2021. /CFP

Investimet e drejtpërdrejta në qendrat e të dhënave në pjesën kontinentale të Kinës arritën afërsisht 880 milionë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2021, duke zënë vendin e parë në rajonin e Azi-Paqësorit, sipas një raporti të fundit.

Raporti, i publikuar nga firma e shërbimeve të pasurive të paluajtshme dhe e investimeve “CBRE Group”, tregon se vlera e përgjithshme e investimeve të drejtpërdrejta në qendrat e të dhënave në rajonin e Azi-Paqësorit gjatë asaj periudhe arriti në 1.8 miliardë dollarë, duke përbërë 80 për qind të vëllimit të përgjithshëm të vitit të kaluar.

Investimet në qendrat e të dhënave në Azi-Paqësor vlerësohet se vendosën një rekord të ri sivjet, pas rekordit të shënuar në vitin 2020, sipas kësaj firme.

Me komercializimin e teknologjisë 5G, zhvillimin e shpejtë të ekonomisë së internetit në kushtet e pandemisë dhe mbështetjen e fortë nga qeveria për "infrastrukturën e re", qendrat e të dhënave po parapëlqehen gjithnjë e më shumë nga investitorët, tha Sam Xie, kreu i kërkimeve i degës së CBRE-së në Kinë.

Xie vuri në dukje se investimet në qendrat e të dhënave në pjesën kontinentale do të vijojnë hovin e rritjes këtë vit, pasi prirjet afatgjata, të tilla si inovacioni teknologjik dhe ngritja e nivelit të konsumit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në zhvillimin e strategjisë së investitorëve.