Festa e Mesvjeshtës kremtohet në ditën e 15-të të muajit të tetë hënor, që këtë vit ishte 21 shtatori. Galaja e Festës së Mesvjeshtës 2021 e CMG-së në mbrëmjen e së martës është transmetuar jashtë vendit për herë të parë, duke filluar në 20:00 sipas orës së Pekinit.

Ky “banket audiovizual” u organizua në Parkun e Ligatinave të Liqenit Xingyue në Xichang, kryeqendër e Prefekturës Autonome Liangshan Yi në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Ky vend u zgjodh për të nderuar ata që kanë kontribuuar në industrinë e hapësirës ajrore, meqenëse në Xichang është edhe vendndodhja e Qendrës së Lëshimit të Satelitëve.

Ky aktivitet shfaqi edhe kulturën e zakonet e banorëve të kombësisë yi të Kinës.

Një grup muzikor "i stilit kinez", Studioja Zide Guqin, e cila është shumë e njohur në median shoqërore kineze për luajtjen e instrumenteve muzikore tradicionale kineze në një mënyrë të re, interpretoi këngën klasike "Dëshirojmë një jetë më të gjatë" me aktorët Liu Shishi dhe Jing Boran. Interpretuesit e njohur të Operës së Pekinit Wang Peiyu dhe Zheng Qiyuan kënduan së bashku "Bukuria e madhe" si pjesë e festimit.

Gjatë galasë, publiku shijoi një kombinim të muzikës pop dhe kulturës tradicionale kineze, duke përfshirë një simfoni në stilin e banorëve të kombësisë yi. Për shikuesit nga e tërë bota u shfaq peizazhi i bukur natyror i Liangshan-it dhe kultura e kombësisë yi, këngët e së cilës kanë kaluar brez pas brezi dhe reflektojnë shpirtin e vjetër dhe atë të ri të kombësisë yi.

Prezantuesit e galasë nga CMG-ja Kang Hui e Sa Beining dhe të tjerë sollën një shfaqje të shkëlqyeshme me titull "Rruga e zakonshme."

Përveç këngëtarëve dhe aktorëve, kjo gala ftoi edhe disa mysafirë të veçantë. Ndër ta përfshihen kampionet në kanotazh për femra në Lojërat Olimpike të Tokios 2020, Chen Yunxia, Zhang Ling, Ly Yang dhe Cui Xiaotong, së bashku me kampionen e patinazhit të shpejtësisë në Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit 2014 Zhang Hong, që kënduan "Duke vrapuar drejt teje me gjithë zemrën time."

Chen Yunxia, Zhang Ling, Ly Yang dhe Cui Xiaotong morën medaljen e artë në kanotazh katërsh për femra më 28 korrik të vitit 2021.

Shfaqja e olimpisteve kineze u rikujtoi njerëzve ditën kur ato fituan medaljen e artë, duke e ndezur më shumë atmosferën e mbrëmjes. Prania e kampiones së patinazhit të shpejtësisë në Lojërat Olimpike Dimërore Zhang Hong u rikujtoi njerëzve se Lojërat Olimpike Dimërore 2022 po afrojnë.

Drejt përfundimit të galasë, Zhou Shen, një këngëtar kinez me një zë të bukur, këndoi serenatë për publikun. Zhou është më i njohur për këngën e tij "Peshku i madh." Kjo këngë është interpretuar shumë herë nga këngëtarë kinezë dhe të huaj. Në programin “Udhëtimi muzikor” të CMG-së, që nisi këtë vit, këngëtarja britanike Katie Sky, e njohur për këngën "Monsters," dërgoi përshëndetjet e saj për muzikëdashësit kinezë në mënyrë virtuale dhe ndau intepretimin e saj të "Peshkut të madh" nga Zhou Shen-i gjatë festivalit muzikor.

Xichang ka qenë gjithmonë një bazë e rëndësishme e industrisë së hapësirës ajrore të Kinës. Me misionin e suksesshëm të “Shenzhou-12”, industria hapësinore e Kinës ka hapur një kapitull të ri. Gjatë kësaj galeje, tre astronautët kinezë Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo, dërguan përshëndetjet e tyre për shikuesit nëpërmjet videos.

Zhou këndoi një këngë mbi hapësirën dhe yjet, duke nderuar heronjtë e industrisë.

Kjo gala, me temë bashkimin, teknologjinë, elementet dhe kulturën kineze, përfundoi me këngë dhe valle krijuese. Teknologjitë e përparuara, si realiteti i përforcuar, u përdorën për të krijuar një përvojë tërheqëse për shikuesit. Në të njëjtën kohë, realiteti virtual dhe inteligjenca artificiale u përdorën për të sjellë një festë vizuale te publiku. (Xu Guang)