Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë nëpërmjet videos në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku mbajti fjalimin me titull "Të forcojmë besimin dhe të kapërcejmë vështirësitë, për të ndërtuar një botë më të mirë". Në këtë fjalim ai paraqiti propozimin për zhvillimin global, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në përballimin e kërcënimeve e sfidave globale dhe duke nxitur krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se ky vit shënon 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste të Kinës dhe 50-vjetorin e rikthimit të Kinës në OKB. Kina do të vazhdojë të nxisë bashkëpunimin me OKB-në për të dhënë kontribute të pandërprera për kauzën fisnike të kësaj organizate ndërkombëtare.

"Tani pandemia ende nuk e ka ndalur përhapjen në mbarë botën, duke e ndryshuar thellësisht shoqërinë njerëzore. Bota ka hyrë në një periudhë të re me luhatje dhe transformim. Çdo politikan i përgjegjshëm duhet t'i përgjigjet temës së kësaj epoke, duke marrë vendime historike me besim, guxim dhe ndjenjën e misionit," shtoi presidenti Xi.

Për të përballuar situatën aktuale, ai paraqiti në fjalim një propozim prej katër pikash.

"Së pari, duhet të mposhtim virusin dhe të fitojmë këtë luftë jetike që ka të bëjë me të ardhmen e njerëzimit. Para sfidave të vazhdueshme, njeriu gjithmonë realizon zhvillimin dhe përparimin," tha presidenti Xi. Sipas tij, shpërndarja e barabartë dhe e arsyeshme e vaksinave në përmasë botërore është detyra më emergjente. Kina do të përpiqet të ofrojë 2 miliardë doza vaksinash për botën dhe, në bazë të dhurimit të 100 milionë dollarëve amerikanë planit COVAX, do t'u ofrojë falas vendeve në zhvillim 100 milionë doza vaksinash. Ndërkohë, Kina do të vazhdojë të mbështesë dhe të marrë pjesë në gjurmimin shkencor të origjinës së koronavirusit të tipit të ri, duke kundërshtuar çdo manipulim politik mbi këtë çështje.

"Së dyti, duhet të nxisim rigjallërimin ekonomik për të realizuar një zhvillim më të vrullshëm, më të gjelbër dhe më të balancuar global. Duhet të punojmë së bashku për ta çuar zhvillimin global në një fazë të re me rritje të balancuar, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse", tha kreu i shtetit i Kinës. Lidhur me këtë, ai shpalli Nismën për Zhvillimin Global, e cila përbëhet nga gjashtë "këmbëngulje", që përkatësisht janë: këmbëngulja në zhvillimin si përparësi, në vënien e popullit në qendër, në përfitimet për të gjithë (me anë të mbështetjes ndaj vendeve në zhvillim, sidomos atyre me vështirësi të mëdha nëpërmjet shtyrjes së kthimit të borxheve ose dhënies së ndihmës për zhvillim), në zhvillimin e bazuar te risitë, në ruajtjen e harmonisë midis njerëzimit e natyrës, si dhe në veprimet e orientuara nga arritja e rezultateve konkrete.

Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së(Foto:Xinhua)

"Megjithëse Kina ka vështirësi të mëdha për të realizuar arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit brenda vitit 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit para fundit të vitit 2060, do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme brenda mundësive që kemi. Kina do të mbështesë edhe vendet në zhvillim në fushën e energjisë së gjelbër dhe zhvillimit me shkarkim të ulët karboni dhe nuk do të ndërtojë jashtë vendit projekte të reja të prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet djegies së qymyrgurit", tha presidenti kinez në fjalim. 

Së treti, Xi Jinping-u theksoi se duhet të forcohet solidariteti dhe të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë. "Ndryshimet dhe problemet janë paevitueshme ndër vendet e botës. Por suksesi i një vendi nuk duhet të nënkuptohet si dështim i një vendi tjetër. Bota është mjaft e madhe për të përfshirë zhvillimin e përbashkët dhe përparimin e të gjitha vendeve. Duhet të synojmë dialogun e gjithëpërfshirjen e jo konfrontimin dhe përjashtimin. Duhet të ndërtojmë një tip të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare në bazë të respektit të ndërsjellë, barazisë, drejtësisë dhe bashkëpunimit me leverdi reciproke, duke bërë përpjekje maksimale për të zgjeruar pikëtakimet e interesave dhe për të krijuar një sinergji sa më të madhe që të jetë e mundshme,” u shpreh ai.

Më tej presidenti kinez tha: "Populli kinez ka synuar gjithmonë paqen, miqësinë dhe harmoninë. Kina kurrë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë hegjemoninë, as të pushtojë apo të ngacmojë vendet e tjera. Kina është gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global, mbrojtëse e rendit ndërkombëtar dhe ofruese e produkteve publike botërore. Kina do të vazhdojë t’i sjellë botës mundësi të reja nëpërmjet zhvillimit të ri të saj."

Së katërti, kreu i shtetit i Kinës propozoi që duhet të përsosim qeverisje globale, duke adoptuar multilateralizëm të vërtetë. "Në botë ka vetëm një sistem ndërkombëtar, që është me OKB-në në qendër. Ka vetëm një rend ndërkombëtar, që është rendi i bazuar mbi ligje ndërkombëtare. Ka vetëm një set rregullash të marrëdhënieve ndërkombëtare, që është bazuar mbi parimet e Kartës së OKB-së", shtoi ai, duke nënvizuar se OKB-ja duhet të ngulë këmbë në garantimin e një rendi të qëndrueshëm ndërkombëtar, duke shtuar përfaqësueshmëri dhe fjalët e vendeve në zhvillim mbi çështje ndërkombëtare dhe duke luajtur një rol udhëheqës në shtimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.

"Bota është përsëri para një rrugëkryqi historik. Jam i bindur se prirja e paqes, e zhvillimit dhe e përparimit të njerëzimit është e pandalshme. Le të nxisim besimin dhe të përballojmë së bashku kërcënimet dhe sfidat globale, duke punuar bashkërisht për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta dhe një botë më të mirë", tha presidenti kinez Xi Jinping në fund të fjalimit që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.(Zhang Yan/Artan)