Grupi Mediak i Kinës (CMG) dhe Kompania e Ekspozitës Botërore të Dubait 2020 nënshkruan të hënën një marrëveshje bashkëpunimi, sipas të cilës CMG-ja do të jetë media e vetme zyrtare në gjuhën kineze e Ekspozitës Botërore të Dubait (EBD). Të dy palët arritën konsensus për zonën e veçantë të punës të CMG-së, metodën e përdorimit të logos dhe përmbajtjes së EBD-së, të drejtat e pronësisë intelektuale etj.

Si partnerja e vetme zyrtare në gjuhën kineze e EBD-së, CMG-ja do të përgatitë raportime me titullin "Koha e Ekspozitës Botërore", që do të zgjatin përgjatë gjysmë viti. Në to do të përfshihen raportet mbi ceremonitë e hapjes dhe mbylljes të Ekspozitës Botërore, aktivitetet me temat kryesore të ekspozitës etj. Në këto raportime do të përdoren teknologjitë "5G+4K/8K+AI".

Ekspozita Botërore e Dubait ishte planifikuar që të organizohej nga 20 tetori i vitit 2020 deri më 10 prill të vitit 2021. Për shkak të pandemisë së COVID-19, ajo u shty për periudhën nga 1 tetori i sivjetshëm deri më 31 mars 2022, me titullin e pandryshuar "Ekspozita Botërore e Dubait 2020”. Kjo do të jetë ekspozita e parë botërore e organizuar në një vend të Lindjes së Mesme, dhe 192 vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen në të.

Sipas parashikimeve, gjatë 6 muajve të zhvillimit të saj ekspozita pritet të vizitohet nga 25 milionë veta. (Xu Guang)