Të mërkurën në Parlamentin Evropian u miratua "Raporti i strategjisë së re BE-Kinë", ku i kërkohet BE-së që të hartojë strategjinë e re të marrëdhënies me Kinën. Ky raport nga njëra anë e quan Kinën si "partnere bashkëpunimi të rëndësishme", por nga ana tjetër e sulmon Kinën me pretekstin e "të drejtave të njeriut", duke e cilësuar si "kundërshtare sistemore". Për këtë, zëdhënësi i Komisionit të Kinës në BE u shpreh të enjten se ky raport i zmadhon dallimet ideologjike dhe ndryshimin e vlerave mes Kinës dhe BE-së, duke bërë komente të paarsyeshme për politikën, ekonominë, shoqërinë dhe diplomacinë kineze dhe duke ndërhyrë në politikën e brendshme të Kinës, prandaj Kina shpreh kundërshtimin e saj të vendosur.

Kina dhe BE-ja janë partnere bashkëpunimi dhe interesat e përbashkëta të të dy palëve janë më të mëdha se dallimet ndërmjet tyre. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, bashkëpunimi kino-evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm për frenimin e përhapjes së epidemisë dhe shpëtimin e sa më shumë pacientëve në vende të ndryshme. Ndërsa për sa u përket trenave të mallrave mes Kinës dhe Evropës, brenda 16 muajve, mbi 1 mijë trena të tillë qarkulluan mes Azisë dhe Evropës, duke garantuar zinxhirin e furnizimit të ndikuar nga epidemia. Sipas të dhënave statistikore të 8 shtatorit nga Eurostat-i, qysh nga tremujori i 2-të i vitit 2020, Kina është bërë partnerja më e madhe e BE-së në tregtinë e mallrave, duke e kaluar ShBA-në.

Anëtari i Parlamentit Evropian Manu Pineda u shpreh se BE-ja duhet të kuptojë se është e mundshme që të formohet një marrëdhënie dypalëshe në bazë të respektit e besimit të ndërsjellë dhe të interesave të përbashkëta mes Kinës dhe Evropës. Në fakt, Kina dhe BE-ja janë dy forca, dy tregje dhe dy qytetërime të mëdha të botës, të cilat janë bërë një "bashkësi fatesh të përbashkëta". Të dy palët kanë marrë përgjegjësi të rëndësishme ndërkombëtare në përballimin e ndryshimit të klimës e të epidemisë, në ndjekjen e multilateralizmit dhe ruajtjen e autoritetit të OKB-së etj. (Xu Guang)