Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi përfundoi të mërkurën vizitat e tij në katër vende fqinje. Ndër to, vizitat në Singapor, Vietnam dhe Kamboxhia kanë tërhequr vëmendje të veçantë nga bota e jashtme. Ky turne vizitash ka treguar se bashkëpunimi Kinë-ASEAN ka elasticitet të madh ndaj ndërhyrjeve dhe dëmtimeve prej forcave të jashtme dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Vitet e fundit, ShBA-ja e ka zhvendosur vazhdimisht fokusin e saj strategjik në Azi-Paqësor, dhe qëllimi i saj për të kontrolluar Kinën është i dukshëm. Më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe zv.presidentja amerikane Kamala Harris vizituan Singaporin, Vietnamin dhe vende të tjera të Azisë Juglindore, duke ekzagjeruar shumë herë “kërcënimin nga Kina”. Në këtë sfond, vizita e ministrit të jashtëm kinez u interpretua nga shumë media perëndimore si një garë gjeopolitike mes Kinës dhe ShBA-së.

Kjo pikëpamje është pa dyshim një keqkuptim i vizitave të kreut të diplomacisë kineze. Sivjet është 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve të dialogut Kinë-ASEAN. Për të dyja palët, ky është një vit i veçantë që lidh të kaluarën me të ardhmen. Qëllimi i turneut të ministrit Wang Yi është shpresa e palës kineze për të luftuar së bashku kundër epidemisë dhe për të thelluar bashkëpunimin konkret.

Qysh nga shpërthimi i epidemisë, Kina dhe vendet e Azisë Juglindore kanë mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin dhe i kanë kapërcyer vështirësitë së bashku. Deri tani, Kina ka dërguar mbi 100 milionë doza vaksinash të COVID-19 në vendet e ASEAN-it.

Megjithëse nën ndikimin e pandemisë, pasiguritë e zhvillimit të ekonomisë globale janë shtuar, bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe ASEAN-it ende ruan një gjallëri të madhe. Në tetë muajt e parë të sivjetshëm, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë mes Kinës dhe ASEAN-it u rrit 22.8 % dhe ASEAN-i vazhdoi të jetë partneri më i madh tregtar i Kinës.

Gjatë këtyre vizitave, Kina dhe vendet e Azisë Juglindore planifikuan në mënyrë aktive bashkëpunimin ekonomik dhe vazhduan të promovojnë ndërlidhjen mes nismës “Një brez, një rrugë” dhe strategjive të zhvillimit të vendeve përkatëse. Këto masa ndihmojnë në zgjerimin e përfitimeve të përbashkëta dhe nxitjen e rritjes ekonomike rajonale e botërore.

Lidhur me çështjen e Detit të Kinës Jugore, pala kineze u shpreh se është e gatshme të përshpejtojë bisedimet me vendet e ASEAN-it mbi “Kodin e sjelljes në Detin e Kinës Jugore” dhe shpreson t’i përfundojë këto bisedime gjatë kohës që Kamboxhia do të jetë vendi kryetar i radhës i ASEAN-it vitin e ardhshëm. Vendet përkatëse u përgjigjën pozivisht. Kjo tregon se Kina dhe vendet e ASEAN-it kanë vullnetin dhe aftësinë për t’i bërë mirë punët e tyre.

Si fqinjë që nuk mund të lëvizin, Kina dhe vendet e Azisë Juglindore kanë formuar një bashkësi të fateve të përbashkëta. Mbi bazën e respektit të ndërsjellë, të dyja palët kanë mençuri për të trajtur dallime dhe për të thelluar bashkëpunimin konkret. Bashkëpunimi me elasticitet të madh Kinë-ASEAN do të injektojë më shumë energji pozitive në zhvillimin e rajonit dhe botës, dhe do të mposhtë plotësisht përpjekjet e forcave të huaja për të provokuar telashe. (Fang Xiaoyu/Artan)