服务---[fú wù]---shërbim

Ekspozitat e vendeve pjesëmarrëse në kuadër të Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë e Shërbimeve të Kinës 2021 po zhvillohen nga 3 deri më 7 shtator, ku marrin pjesë 6 organizata ndërkombëtare dhe mbi 60 vende të ndryshme. Siç mësohet, këta pjesëmarrës po paraqesin shërbimet e tyre të veçanta dhe arritjet e fundit në këtë drejtim.

Në pavijonin e Irlandës, që është vendi i ftuar i nderit, janë shfaqur kultura dhe pamjet natyrore të këtij vendi. Irlanda është vendi kryesor ku është xhiruar seriali amerikan “Game of Thrones”. Me mantel dhe mburojë, duke qëndruar para ekranit të promovimit, njerëzit duket sikur ndodhen në skenën e xhirimit të këtij filmi. Krahas kësaj, njerëzit mund të shikojnë shfaqje të veçanta artistike dhe filmin e animuar “Wolfwalkers”.

Përveç kulturës, Irlanda ka përgatitur shfaqje në fusha të tjera, si investimet, teknologjia, arsimi i lartë dhe ushqimet.

Në këtë panair, Organizata për Zhvillim Industrial e OKB-së (UNIDO) ka paraqitur teknologjitë praktike të Revolucionit të 4-t Industrial, si prodhimi inteligjent, bujqësia inteligjente, energjetika inteligjente dhe ekonomia e riqarkullueshme inteligjente.

Këtu njerëzit mund të futen në epokën inteligjente, duke njohur nga afër ndryshimet e jetesës të shkaktuara nga teknologjia. Makina e dezinfektimit të ajrit e prezantuar nga UNIDO është johelmuese dhe niveli i saj i dezinfektimit mund të arrijë në 99.99 %. Droni për bujqësi V40 përdor energji të pastra dhe është pajisur me teknologji të inteligjencës artificiale, çka mund të kursejë energjinë dhe të pakësojë përdorimin e pesticideve.

Gjermania është një ndër vendet që merr pjesë për herë të parë në këtë panair. Në pavijonin e saj ka shumë vizitorë. Agjencia e Tregtisë dhe Investimeve e Gjermanisë ka bashkëpunuar me 7 landet gjermane, si Berlini dhe Bavaria, duke treguar pikat e reja në digjitalizimin dhe zhvillimin inovativ.

Në pavijonin e vendeve afrikane mund të shohim vende pjesëmarrëse, si Algjeria, Botsvana, Togoja, si dhe kompani afrikane, si “Ethiopian Airlines”. Gjatë panairit, çdo ditë do të zhvillohet dita e promovimit për një vend pjesëmarrës, me synim që të paraqitet gjendja bazë e tyre, në fusha si turizmi, bujqësia dhe burimet minerare.

Pavijoni i Iranit është një nga zonat më tërheqëse në këtë panair. Qilimat e bukur dhe veprat tërheqëse të zejtarisë kanë tërhequr shumë vizitorë. Punonjësit e pavijonit u shprehën se shpresojnë që më shumë njerëz të njohin kulturën dhe produktet iraniane nëpërmjet këtij panairi.

Pavijoni i Perusë është më tërheqës për fëmijët. Lodrat prej pellushi janë mjaft të adhurueshme dhe njerëzit i parapëlqejnë shumë ato. Këto lodra janë si kafshë të gjalla, se janë bërë me dorë me qimet e lamave të vogla.