VCG

VCG

Ministria e Jashtme e Kinës e vlerësoi të mërkurën Afganistanin si një "vend heroik" që nuk u është dorëzuar kurrë forcave të huaja, duke shtuar se një faqe e re është hapur në historinë e vendit të shkatërruar nga lufta, i cili është në pragun e paqes dhe rindërtimit kombëtar.

Kina sinqerisht shpreson se palët përkatëse në Afganistan do të formojnë një sistem politik të hapur dhe gjithëpërfshirës, do të ndjekin politika të brendshme dhe të jashtme të moderuara e të qëndrueshme dhe do të shkëpusin plotësisht lidhjet me të gjitha organizatat terroriste, tha zëdhënësi i ministrisë Wang Wenbin.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me njoftimet se talibanët do të shpallin një qeveri të re të premten.

"Afganistani është një vend heroik dhe nuk është dorëzuar kurrë," tha Wang duke cituar kryetarin Mao Ce Dun.

"Kina dhe Afganistani janë vende mike dhe nuk duan ta dëmtojnë njëri-tjetrin," u shpreh më tej zëdhënësi, duke shtuar se të dy vendet kanë mbështetje të ndërsjellë.

Kina, si gjithmonë, do të ndjekë një politikë miqësore me të gjithë afganët, do të respektojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Afganistanit, nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Afganistanit dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë brenda mundësive të saj për rindërtimin paqësor të Afganistanit, theksoi Wang.(Artan)