
Foto; VCG
Të dhënat nga Ministria e Tregtisë e Kinës treguan të martën se Kina ka pasur një rënie të ndjeshme në deficitin e tregtisë së shërbimeve në gjysmën e parë të vitit 2021.
Në janar-qershor tregtia e shërbimeve u rrit me 6.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në rreth 2.38 trilion juanë (afro 367.97 miliardë dollarë). Ndër to, eksportet u rritën me 23.6 për qind, duke arritur në afërsisht 1.13 trilion juanë, dhe importet u ulën me 5 për qind, duke kapur vlerën e rreth 1.25 trilionë juanëve.
Deficiti i tregtisë së shërbimeve ishte 120.46 miliardë juanë në gjashtë muajt e parë, 281.25 miliardë juanë më pak se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, tregtia e shërbimeve në vend ra me 9 %. Eksportet e shërbimeve u ulën 20.9 % dhe importet 25.6 %.

Foto; VCG
Ministria theksoi zgjerimin e jashtëzakonshëm në tregtinë e shërbimeve me njohuri intensive në Kinë, e cila në gjysmën e parë të vitit 2021 u rrit me 13.5 %, duke arritur në gati 1.11 trilion juanë.
Tregtia e shërbimeve në sektorin e turizmit vazhdoi të bjerë, në kushtet kur vendet në të gjithë botën kanë marrë masa të rrepta për të kufizuar lëvizjen ndërkufitare të njerëzve për shkak të pandemisë, tha ministria.
Në periudhën janar-qershor, vëllimi i tregtisë së shërbimeve në sektorin turistik të Kinës ra 34.8 për qind, duke pasur një vlerë të përgjithshme 363.79 miliardë juanë.
Sipas të dhënave, vetëm në qershor, tregtia e shërbimeve të Kinës pati rritje të konsiderueshme, me 22.5%, në vlerën e 439.2 miliardë juanëve.
Në dallim me tregtinë e mallrave, tregtia e shërbimeve i referohet shitjes dhe ofrimit të produkteve jomateriale, si transporti, turizmi, telekomunikacioni, ndërtimi, reklamat dhe kontabiliteti.







