Zëdhënësi i Misionit Kinez në BE iu përgjigj një deklarate të përbashkët nga BE-ja, ShBA-ja, Australia, Japonia dhe vende të tjera në lidhje me propozimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fazën e dytë të hetimit mbi origjinën e COVID-19 të martën.

Kina beson se viruset janë armiku i përbashkët i njerëzimit dhe gjurmimi i origjinës së tyre është një çështje e rëndësishme dhe komplekse shkencore që kërkon bashkëpunimin e shkencëtarëve nga e gjithë bota, si dhe përpjekjet e përbashkëta dhe bashkëpunimin e qeverive dhe popujve të të gjitha vendeve.

Zëdhënësi theksoi se stigmatizimi i vendeve të tjera duke përdorur epideminë dhe politizimi i çështjes së gjurmimit të origjinës do të provokojë vetëm pakënaqësi të fortë dhe kundërshtim të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar dhe nuk do të ketë kurrë sukses.

“Kina gjithmonë ka marrë pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar për gjurmimin e origjinës me një qëndrim të hapur. Vitin e kaluar, ne kemi ftuar dy herë ekspertë të OBSh-së për të kryer hulumtime të përbashkëta për gjurmimin e origjinës dhe kemi bërë përpjekje të mëdha për këtë qëllim,” u shpreh zëdhënësi.

Në janar të këtij viti, ekspertë ndërkombëtarë nga OBSh-ja dhe ekspertë kinezë formuan një ekip të përbashkët dhe zhvilluan kërkime të përbashkëta për 28 ditë në Kinë.

Më 30 mars, OBSh-ja publikoi një raport të përbashkët, i cili arriti në përfundime të qarta dhe dha rekomandime të bazuara në shkencë për fazën tjetër të studimit të origjinës globale të koronavirusit.

Gati 60 vende i dërguan OBSh-së letra, duke rënë dakord me rezultatet e fazës së parë të studimit dhe duke kundërshtuar përpjekjet për ta politizuar atë. Kina beson se gjurmimi i origjinës ka nevojë për bashkëpunim e jo diskreditim, për të vërtetën e jo gënjeshtrën e për respektimin e shkencës e jo manipulimin politik.

Kina do të vazhdojë të mbështesë dhe të marrë pjesë në bashkëpunimin global për gjurmimin e origjinës së koronavirusit me frymën e hapjes, transparencës, shkencës dhe bashkëpunimit, deklaroi zëdhënësi. (Artan/Fani)