Zona e Re Pudong e Shangait në Kinën Lindore do të pozicionohet si një "zonë pioniere për modernizimin socialist", sipas udhëzimeve të publikuara bashkërisht ditët e fundit nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit.

Udhëzimet u shpallën ndërsa Kina vijon strategjinë e zhvillimit me "qarkullim të dyfishtë", sipas së cilës zhvillimi i brendshëm është shtyllë kryesore dhe zhvillimi e brendshëm e zhvillimi i jashtëm forcojnë njëri-tjetrin. Ato synojnë të nxisin transformimin e Pudong-ut në një nyjë të qarkullimit të brendshëm dhe një lidhje strategjike të modelit të zhvillimit, tha Cong Liang, nënkryetar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës në një konferencë shtypi të martën.

Ato tregojnë gjithashtu vendosmërinë dhe besimin e patundur të Kinës për thellimin e reformës dhe hapjes, vuri në dukje ai.

Kina ka vendosur pesë pozicione strategjike dhe dy objektiva me faza për Pudong-un.

Pudong-u do të zhvillohet në një zonë pioniere për reformën dhe hapjen e nivelit më të lartë, një pikë referimi të epokës për inovacion dhe zhvillim të pavarur, një pikë të lartë funksionale për shpërndarjen e burimeve globale, një udhërrëfyes për zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe një model për qeverisjen moderne urbane, tha Cong. Ai shtoi gjithashtu se pritet që Pudong-u të luajë një rol më të mirë në udhëheqjen dhe nxitjen e zhvillimit të integruar të Deltës së Lumit Jance. (Çang Çuo)