Foto:VCG

Foto:VCG

Kina e nxiti palën amerikane të ndalojë menjëherë ndërhyrjet në çështjet e Hong Kong-ut, që janë punë të brendshme të Kinës. "Kina do të marrë të gjitha masat e duhura sipas ligjit për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të saj", tha të shtunën një zëdhënës i diplomacisë kineze në reagim ndaj publikimit nga qeveria amerikane të "Këshillave të biznesit në Hong-Kong" dhe të vendosjes së sanksioneve mbi shtatë zyrtarë të Zyrës së Lidhjes të Qeverisë Qendrore të Kinës në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kong-ut.

Hong-Kongu është një pjesë e Kinës dhe çështjet e tij janë punë të brendshme të Kinës, deklaroi zëdhënësi në një deklaratë, duke theksuar se forcat e jashtme që tentojnë të ndërhyjnë në çështjet e Hong-Kongut do ta gjejnë veten në një situatë si ajo e "milingonave të vogla që përpiqen të tundin pemën e lartë".

"ShBA-ja përpiloi të ashtuquajturat ‘Këshilla për biznesin në Hong-Kong’, duke përbaltur mjedisin e biznesit në Hong-Kong, dhe vendosi sanksione të paligjshme ndaj disa zyrtarëve të Zyrës së Lidhjes të Qeverisë Qendrore të Kinës në Rajonin e Hong- Kongut", vuri në dukje zëdhënësi, duke theksuar se këto veprime kanë shkelur rëndë ligjin ndërkombëtar e normat bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe janë ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Kinës.

"Kina i kundërshton dhe i dënon kategorikisht këto veprime", thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.(Zhang Yan/Artan)