
Funksionet dhe aktivitetet e Institutit të Virologjisë të Wuhan-it janë errësuar nga gjysmë të vërteta dhe informacione të deformuara, theksoi Danielle Anderson, e vetmja shkencëtare e huaj e punësuar në laboratorin BSL-4 të këtij instituti në vitin 2019.
"Gjërat nuk janë ashtu siç thonë njerëzit," u shpreh Anderson-i për "Bloomberg"-un të dielën. Laboratori është i rregullt dhe "ka funksionuar në të njëjtën mënyrë si çdo laborator tjetër me shkallë të lartë kontrolli".
Komentet e saj pasojnë pretendimet e debatueshme që koronavirusi i ri doli nga Instituti i Virologjisë i Wuhan-it. Shkencëtarja deklaroi se SARS-CoV-2 ka të ngjarë ta ketë origjinën nga natyra dhe se është normale që shkencëtarët nuk e kanë gjetur lakuriqin e natës përgjegjës për pandeminë. Gjetja e burimit të virusit mund të zgjasë shumë vjet, shtoi Anderson-i.
Ajo hodhi poshtë teorinë e daljes nga laboratori mbi origjinën e virusit.
Anderson-i vuri në dukje se Instituti i Virologjisë i Wuhan-it "ka projektimin më të lartë të biosigurisë dhe kërkon që ajri, uji dhe mbeturinat të filtrohen dhe sterilizohen para largimit nga objekti".
Protokollet dhe kërkesat ishin aq të rrepta sa studiuesit iu nënshtruan 45 orëve trajnim për t'u certifikuar për të punuar në mënyrë të pavarur në laborator.
Procesi i hyrjes dhe daljes nga instituti ishte "veçanërisht i ndërlikuar", dhe studiuesit duhej të bënin një dush kimik dhe një dush personal në një kohë të planifikuar saktësisht.
Gjithashtu, virologia mohoi lajmin se tre studiues nga laboratori u shtruan në spital me simptoma të ngjashme me gripin në nëntor 2019, duke thënë se askush që ajo njihte në institut nuk ishte i sëmurë deri në fund të vitit 2019, pasi ajo ishte atje në atë kohë.
"Nëse ata do të ishin të sëmurë, besoj se edhe unë do të isha e sëmurë - po nuk isha," tha ajo. "U testova për koronavirus në Singapor para se të vaksinohesha dhe nuk e kisha pasur kurrë."
Jo vetëm ajo, por as bashkëpunëtorët e saj në Wuhan që u bashkuan me të në Singapor në fund të dhjetorit nuk raportuan ndonjë sëmundje.
Anderson-i vuri në dukje se një infeksion i panjohur nga një teknikë e "fitimit të funksionit" dhe më pas përhapja te të tjerët do të ishte teorikisht e mundur, megjithatë nuk ka pasur asnjë provë për këtë dhe mundësia është "jashtëzakonisht e vogël".
Përveç autorizimit nga shumë nivele për të krijuar një virus në këtë mënyrë dhe kufizimeve të rrepta për këtë lloj pune, "është jashtëzakonisht e vështirë ta bësh atë të funksionojë kur dëshiron të funksionojë", tha Anderson, madje edhe për shkencëtarët që kanë punuar me koronavirusët dhe që i njohin karakteristikat e tyre biologjike.
"Edhe atëherë, materiali që studiuesit studiojnë - blloqet ndërtuese themelore të virusit dhe gjurmët gjenetike - nuk janë fillimisht infektuese, kështu që duhen krijuar sasi të konsiderueshme për të infektuar njerëzit," shtoi ajo.
Anderson bëri thirrje për të studiuar rrugën e COVID-19 për të përcaktuar se cilat veprime kërkohen për të kontrolluar pandemitë në të ardhmen.







