Kina dëshiron që të bashkëpunojë me të gjitha palët për të formuar një partneritet më të ngushtë në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", tha të mërkurën presidenti kinez Xi Jinping në një mesazh me shkrim për Konferencën e Nivelit të Lartë të Azi-Paqësorit mbi Bashkëpunimin për Nismën "Një brez, një rrugë".

Xi tha se qëllimi i propozimit të nismës "Një brez, një rrugë" është për të trashëguar frymën e Rrugës së Mëndafshit, duke ndërtuar së bashku një platformë të hapur bashkëpunimi dhe duke i dhënë energji të re bashkëpunimit dhe zhvillimit të të gjitha vendeve.

Kreu i shtetit kinez theksoi se gjatë tetë vjetëve Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 140 vende në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".

Duke përshëndetur progresin pragmatik të arritur, presidenti Xi tha se të gjitha palët kanë forcuar lidhjet politike, infrastrukturore, tregtare, financiare dhe njerëzore.

"Përballë shpërthimit të COVID-19 që ishte i befasishëm për të gjithë, kemi mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin në kohët më të vështira dhe kemi nxitur ndërtimin e 'Një brez, një rrugë', duke i përcjellë besim e forcë bashkësisë ndërkombëtare dhe duke dhënë kontribut për bashkëpunimin global kundër pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike," tha Xi.

Presidenti kinez ritheksoi se nisma "Një brez, një rrugë" duhet të përputhet me parimet e konsultimeve të gjera, të kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të ndërsjella, dhe të synojë bashkëpunimin e hapur, të gjelbër dhe të pastër.

Xi shprehu gjithashtu besimin e tij se Kina do t'ua ofrojë partnerëve të "Një brez, një rrugë" më shumë mundësi tregu, investimi dhe rritjeje. (Xu Guang)