Foto: VCG

Foto: VCG

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të hënën që dialogu dhe bashkëpunimi të jenë motivi kryesor në marrëdhëniet midis Kinës dhe Evropës, duke theksuar se të dy palët duhet të kenë si qëllim dobinë e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta.

Në një bisedë telefonike me presidentin finlandez Sauli Niinisto, Xi e nxiti gjithashtu Finlandën që të luajë një rol pozitiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të lidhjeve Kinë-Evropë.

Niinisto tha se Finlanda është e gatshme të luajë një rol pozitiv në lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis Evropës dhe Kinës.

Ndërsa peizazhi ndërkombëtar pëson ndryshime të shpejta, vazhdojnë të shfaqen kërcënime e sfida globale dhe palët e ndryshme duhet t'i trajtojnë ato me frymën e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, tha Xi, duke paralajmëruar kundër konfrontimit dhe mendësisë së "lojës ku fituesi i merr të gjitha".

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Xi theksoi se Kina është e gatshme të bëjë përpjekje të përbashkëta me Finlandën për të ruajtur multilateralizmin dhe për të përballuar sfidat globale, si siguria e shëndetit publik dhe ndryshimi i klimës, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.

Duke vënë në dukje se vitin e kaluar ishte 70-vjetori i lidhjeve diplomatike kino-finlandeze, Xi tha se Kina është e gatshme të punojë me Finlandën për të zgjeruar tregtinë dypalëshe dhe mirëpret kompanitë finlandeze të vazhdojnë të ndajnë përfitimet e sjella nga zhvillimi i saj. Kina shpreson që Finlanda do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin dypalësh në tregti dhe fusha të tjera.

Kina është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Finlandën në kërkimin shkencor dhe arsimin, si dhe lidhur me zhvillimin e gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni, vijoi më tej kreu i shtetit i Kinës, duke bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta për t'u përballur me ndryshimin e klimës.

Xi gjithashtu u dërgoi urimet më të mira sportistëve finlandezë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit vitin e ardhshëm.

Sauli Niinisto, nga ana e tij, theksoi se Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare e Finlandës në Azi dhe se ka një potencial i madh për bashkëpunimin dypalësh lidhur me teknologjinë e lartë dhe ekonominë qarkulluese.

Finlanda beson se njerëzimi duhet të merret me ndryshimin e klimës, COVID-19 dhe sfida të tjera globale së bashku nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, vuri në dukje ai, duke shtuar se Kina luan një rol vendimtar dhe të domosdoshëm në këtë proces.