
Foto:Visual People
Kina lëshoi me sukses të enjten anijen kozmike "Shenzhou-12", që do të dërgojë tre astronautë në modulin kryesor të stacionit hapësinor kinez "Tianhe" për një mision tremujor.
Ky është misioni i shtatë me ekuipazh në hapësirë i Kinës dhe i pari gjatë ndërtimit të stacionit hapësinor kinez. Ai është gjithashtu i pari mision në gati pesë vjet pas misionit të fundit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës.
Raketa bartëse "Marshimi i Madh-2F", me anijen kozmike "Shenzhou-12", u nis nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore më 9:22 paradite sipas orës së Pekinit, njoftoi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA).
Rreth 573 sekonda pas lëshimit, "Shenzhou-12" u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e përcaktuar. Ekuipazhi i "Shenzhou-12" është në gjendje të mirë dhe nisja ishte një sukses i plotë, deklaroi CMSA-ja.

Foto:Visual People
Të tre astronautët janë përkatësisht komandanti Nie Haisheng, një veteran 56-vjeçar që ka marrë pjesë në misionet "Shenzhou-6" dhe "Shenzhou-10"; Liu Boming, 54 vjeç, i cili ishte pjesë e misionit "Shenzhou-7", dhe Tang Hongbo, 45 vjeç, për të cilin ky është misioni i parë hapësinor.
Ata pritet të vendosin një rekord të ri për kohëzgjatjen e misioneve hapësinore me astronautë të Kinës, duke tejkaluar 33 ditët e qëndrimit në hapësirë të ekuipazhit të "Shenzhou-11" më 2016.
Liu Weibo, zv.kryeprojektuesi i programit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës, tha se veshjet e përmirësuara, të dizenjuara dhe të krijuara nga inxhinierët kinezë, mund t'i ndihmojnë astronautët që të punojnë jashtë modulit për shtatë deri në tetë orë.

Foto:Visual People
Anija kozmike "Shenzhou-12" do të zhvillojë një takim të shpejtë autonom dhe bashkim me modulin kryesor të stacionit hapësinor në orbitë "Tianhe", duke formuar një kompleks me të dhe anijen kozmike të mallrave "Tianzhou-2". Astronautët do të vendosen në modulin kryesor. (Çang Çuo)







