Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian theksoi të mërkurën në një konferencë shtypi në Pekin se komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë faktin se koronavirusi COVID-19 u shfaq paralelisht në disa vende dhe në fazën e ardhshme të gjurmimit të origjinës së virusit nën drejtimin e OBSh-së, studimet duhet të zhvillohen me horizontin global dhe paralelisht në disa vende e rajone, duke shmangur studimet e kufizuara vetëm në një rajon.

Njoftohet se në studimin e fundit të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë i ShBA-së thuhet se sipas analizave nga mostrat e gjakut të 24 mijë banorëve amerikanë, të mbledhura në tre muajt e parë të vitit të kaluar në mbarë ShBA-në, COVID-19 u shfaq në këtë vend qysh nga dhjetori 2019, disa javë më përpara se 19 janari, ditën e zbulimit të rastit të infektimit, konfirmuar nga pala zyrtare amerikane.

Duke iu përgjigjur pyetjes përkatëse, Zhao Lijiang vuri në dukje se rezultati i këtij studimi vërteton edhe një herë se gjurmimi i origjinës së virusit është një problem i ndërlikuar shkencor dhe ka të bëjë me shumë vende e rajone, pra punët përkatëse duhet të kryhen me bashkëpunimin e shkencëtarëve të mbarë globit, që të parandalohen rreziqet e mundshme dhe të mbrohen siguria e jetës dhe shëndeti i popujve të ndryshëm.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se shumë ekspertë të vendeve të ndryshme vunë në dukje faktin se epidemia shpërtheu njëkohësisht në disa vende të botës, që nga fillimi i pandemisë së COVID-19.

“Një studim i publikuar në Revistën Evropiane të Epidemiologjisë tregon se virusi COVID-19 u shfaq në Evropë në nëntor 2019. Nga raporti studimor i Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve të ShBA-së rezulton se COIVD-19 ka gjasa të jetë shfaqur në ShBA në dhjetor 2019. Kryeepidemiologu i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Suedisë tha se në vendin e tij ka mundësi që virusi COVID-19 të jetë shfaqur prej verës së vitit 2019. Gjatë një interviste ditët e fundit, imunologia Ju Liya nga Instituti Pasteur i Francës vuri në dukje se nga gjendja e përgjithshme e epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri, shpërthimi në disa vende dhe me disa burime janë faktet objektive.”shpjegoi Zhao. (Wang Lei/Albana)