Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi vlerësoi lart të hënën përpjekjet e vendit gjatë emergjencës së shëndetit publik global gjatë një veprimtarie promovuese globale në Pekin për provincën Hubei të Kinës Qendrore, ndër më të goditurat nga shpërthimi i koronavirusit.

Kryeqendra e Hubei-t, qyteti Wuhan, filloi kufizimet e "mbylljes" për 10 milionë banorët e vet më 23 janar të vitit të kaluar, një veprim që dha ndihmesë të madhe në parandalimin e përhapjes më të gjerë të sëmundjes gjatë fazave të hershme.

"Banorët e Wuhan-it dhe të Hubei-t në përgjithësi, jo vetëm bënë një sakrificë të madhe për punën e kontrollit të pandemisë të Kinës, por edhe në shkallë botërore," tha Wang gjatë këtij aktiviteti.

Shumica e fabrikave dhe bizneseve në Wuhan ndërprenë funksionimin gjatë mbylljes 76-ditore, kurse dalja jashtë qytetit u kufizua në mënyrë rigoroze. Gjërat nisën të normalizohen pas hapjes së qytetit në fillim të prillit të vitit të kaluar.

Diplomati kinez vlerësoi lart edhe punën e rimëkëmbjes ekonomike të rajonit, meqenëse Hubei pati një rritje të PBB-së prej 10 % me gjithë vështirësitë serioze të krijuara prej virusit.

Për të ndihmuar rimëkëmbjen e qytetit, qeveria qendrore i ofroi Wuhan-it një paketë politikash të favorshme, duke përfshirë përkrahjen financiare, uljen e taksave dhe hartimin e projekteve. Autoritetet vendore shpërndanë kupona me vlerë të përgjithshme prej 500 milionë juanësh (76.4 milionë dollarë amerikanë) për ta nxitur konsumin.

Wang Zhonglin, sekretari i Komitetit të PKK-së të Bashkisë së Wuhan-it, paraqiti situatën e rimëkëmbjes ekonomike dhe kulturore të qytetit, duke përfshirë një rritje graduale në numrin e të diplomuarve universitarë që vijnë në Wuhan për të filluar biznese, që arriti në 302 000 vjet, ndërsa 306 ndër 500 kompanitë kryesore botërore kanë bërë investime aty. "Qëndrueshmëria dhe fuqia e madhe e ekonomisë kineze janë shpërfaqur plotësisht në Wuhan," tha Wang. (Xu Guang)