Autoriteti Rregullator Shtetëror i Tregut në Kinë gjobiti në fundjavë me një rekord prej 18.23 miliardë juanësh (2.78 miliardë dollarë) gjigantin e tregtisë elektronike "Alibaba" pasi kompania ka kufizuar konkurrencën dhe ka keqpërdorur pozicionin dominues në treg, duke shkelur ligjin kundër monopolit. Gjoba shënoi fundin e një hetimi antitrust katërmujor ndaj kompanisë.

Autoriteti e njoftoi vendimin e ndëshkimit të shtunën, duke akuzuar “Alibaba”-n për abuzim me dominimin në treg që nga viti 2015 duke ndaluar tregtarët të hapnin dyqane ose të merrnin pjesë në aktivitete promovuese në platforma të tjera konkurruese dhe vendosi një gjobë prej 4 për qind të shitjeve të brendshme të vitit 2019.

Kompania do të prezantojë masa për të ulur pengesat e hyrjes dhe kostot e biznesit me të cilat përballen tregtarët në platformat e saj, tha kryeekzekutivi Daniel Zhang në një bisedë me analistët të hënën.

Grupi i tregtisë elektronike nuk pret ndonjë ndikim material nga ndryshimet në marrëveshjet e tij të ekskluzivitetit me tregtarët, tha Zhang.

Drejtuesit e Alibaba-s thanë se pavarësisht gjobës rekord dhe masave të urdhëruara nga rregullatori i tregut, ata janë të sigurt për mbështetjen e përgjithshme të qeverisë për kompaninë. (Albana)