Foto: VCG

Foto: VCG

Shoqata Kineze për të Drejtat e Njeriut publikoi të premten artikullin "Luftërat agresive të ShBA-së kanë shkaktuar katastrofa të rënda humanitare", ku demaskohet përdorimi i forcës nga ShBA-ja nën pretekstin e "ndërhyrjes humanitare" dhe theksohet se këto luftëra jo vetëm që kanë marrë jetë ushtarakësh, por gjithashtu kanë shkaktuar vdekje e plagosje të banorëve të thjeshtë dhe humbje të pasurisë, duke çuar në katastrofa serioze humanitare.

Në artikull thuhet se, sipas statistikave, nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 2001, ndër 248 konfliktet e armatosura në 153 rajone të botës, 201 u iniciuan nga ShBA-ja. ShBA-ja ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera edhe me anë të mbështetjes së të ashtuquajturave "luftëra të ndërmjetme", të nxitjes së rebelimeve të brendshme, të atentateve, të ofrimit të armëve e të stërvitjes së forcave antiqeveritare, duke shkaktuar rreziqe ndaj stabilitetit shoqëror e sigurisë së masave popullore në vendet përkatëse.

Në artikull theksohet gjithashtu se luftërat e nisura nga ShBA-ja kanë shkaktuar pasoja serioze, si numri i madh i viktimave, shkatërrimi i objekteve dhe ndërprerja e prodhimit; kanë sjellë një sërë problemesh shoqërore, si refugjatët, trazirat sociale, krizat ekologjike dhe traumat psikologjike, e gjithashtu kanë shkaktuar dëme në vendet e papërfshira në incidente.

Sipas artikullit, kriza humanitare e shkaktuar nga operacionet ushtarake buron nga mendimi hegjemonist i ShBA-së. Vetëm duke hedhur poshtë një mendim të tillë mund të shmangen katastrofat humanitare, mund të arrihen përfitimet dhe leverdia e ndërsjellë dhe njerëzit e të gjitha vendeve mund të gëzojnë vërtet të drejtat themelore të njeriut. (Çang Çuo)