Në shkurt të vitit të kaluar, bisedova me Zhao-n, mjek dhe drejtori i qendrës së urgjencës në Spitalin "Zhongnan" të Universitetit të Wuhan-it, që u infektua nga koronavirusi i ri gjatë punës.

Ai tha se në fillim të përhapjes së koronavirusit të ri në Wuhan, njerëzit nuk e dinin qartë rrezikun e infektimit.

Duke trajtuar pacientët për atë që atëherë quhej "pneumoni e panjohur", spitali i Zhao-s ishte i pari në Wuhan që përdori makinat ECMO, të cilat përkohësisht morën përsipër punën e zemrës dhe mushkërive, në mënyrë që ato të pushonin. Por pikërisht nga përdorimi i makinave ECMO ekipi i tij u infektua aksidentalisht.

Këtë muaj bisedova përsëri me të për të njohur ndryshimet.

Puna e tyre është rikthyer pak a shumë si në kohën para fillimit të përhapjes së epidemisë, por ata u kushtojnë më shumë rëndësi masave mbrojtëse, sidomos në fushat e parandalimit dhe të kontrollit të infektimit.

"Pa dyshim që ndihemi më të vetëdijshëm për këtë," tha Zhao.

Në zonat tampon ka ende pajisje mbrojtëse dhe mjete të tjera të nevojshme gati për t'u përdorur, edhe pse qyteti nuk ka raportuar raste të reja lokale të COVID-19 që nga mesi i majit të vitit të kaluar.

Këto materiale, duke përfshirë maskat N-95, janë rezervuar për detyrat me rrezik të lartë. "Kjo lloj mbrojtjeje është bërë kërkesë tashmë," thotë ai.

Wuhan e fitoi luftën kundër epidemisë pas hapjes së qytetit në 8 prill 2020.

Zhao tha se vështirësia që hasën nuk i ndaloi, por i detyroi të reflektonin dhe të merrnin masa më të kujdesshme.

Ai tha: "Është si në luftë, ku ushtarët nuk duhet të humbin kohë duke u frikësuar. Nuk kemi kohë për këtë."

Kriza e forcoi edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve të Wuhan-it për shëndetin, siç Zhao nuk e ka parë kurrë më parë.

"Shpesh shkonim në lagje për të dhënë njohuri për ndihmën e parë, por njerëzit nuk i kushtonin rëndësi. Tani ata janë të etur për njohuri dhe për t'i vënë ato në praktikë," shprehet ai.

Kur COVID-19 goditi Wuhan-in, disa treguan keqardhje për qytetin, ndërsa të tjerë kishin paragjykime për shkak të virusit. Por mjeku beson se lufta i ka sjellë qytetit më shumë lavdi, dhe madje zili nga të tjerët, të paktën në fushën e shëndetit publik.(Çang Çuo)