Në të gjithë Kinën janë përdorur mbi 100 milionë doza vakinash COVID-19. Pavarësisht renditjes së dytë në botë përsa i përket numrit të vaksinimeve, Kina aktualisht ka një shkallë vaksinimi në vetëm katër për qind.

Kjo shkallë është shumë më e ulët se në Izrael, ku mbi 90 për qind e 9 milionë banorëve të tij kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19.

Eksperti i lartë i Kinës për rrugët e frymëmarrjes, Zhong Nanshan, paralajmëroi për rreziqet shëndetësore dhe nxiti përshpejtimin e planit të vaksinimit. Mjeku i mirënjohur tha se rëndësia e vaksinimit është jashtëzakonisht e nënvlerësuar për shkak të rasteve shumë të pakta të COVID-19 në Kinë.

Ai shtoi se rëndësia e imunitetit të tufës për t'u mbrojtur nga COVID-19 nuk mund të mbivlerësohet me nisjen e veprimtarive shoqërore dhe ekonomike dhe kur vendet përreth botës të hapin gradualisht dyert e tyre.

"Në Kinë, shumica e popullsisë ka imunitet të dobët, që do të thotë që sapo të ekspozohen ndaj virusit, ata do të infektohen dhe do të sëmuren. Shumë njerëz në Kinë nuk rendin për t'u vaksinuar për shkak të gjendjes së tanishme. Sidoqoftë, është e pamundur që masat e rrepta të karantinës të zgjasin përgjithmonë. Vendi do të zbatojë zotimet e tij dhe politikat e mëtejshme të hapjes. Deri atëherë, Kina do të jetë më e prekshmja ndaj virusit kur të gjitha vendet kanë përfunduar vaksinimin, gjë që na rrezikon nga një shpërthim i ri".

Kina po synon të vaksinojë 40 për qind të popullsisë së saj deri në fund të qershorit. Pothuajse të gjithë punonjësit e vijës së frontit janë vaksinuar. Numri i vaksinimeve vijon të rritet çdo ditë dhe rritja më e lartë ditore ka qenë 6 milionë vaksinime gjatë javës së kaluar.

Shao Yiming është një studiues i lartë dhe këshilltar i Komisionit të Vaksinave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ai tha se ndërsa procesi i vaksinimit vijon të përshpejtohet, numri ditor i vaksinimeve do të rritet më tej.

Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se Kina mund të arrijë imunitetin e tufës nëse shkalla e vaksinimit arrin 70 për qind në fillim të vitit 2022.

(Foto nga VCG)