Të mërkurën, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilluan një bisedë telefonike.

Gjatë bisedës, presidenti Xi theksoi se forcimi i bashkëpunimit midis Kinës e Gjermanisë dhe midis Kinës e Europës mund të sjellë rezultate të rëndësishme. Kina është prej 5 vjetësh radhazi partnerja e parë tregtare e Gjermanisë, gjë që tregon potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh. Kina është e gatshme të ndajë mundësitë e sjella nga raundi i ri i hapjes me ndërmarrjet e vendeve të ndryshme duke përfshirë ndërmarrjet gjermane.

Presidenti Xi Jinping shtoi se tani marrëdhëniet kino-europiane kanë mundësi të reja zhvillimi, por edhe sfida të ndryshme. Dy palët duhet të përqëndrohen te zhvillimi i marrëdhënieve dhe ta respektojnë njëra-tjetrën. Zhvillimi i Kinës është mundësi për Bashkimin Europian, Kina dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palën europiane për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat duke zbatuar së bashku multilateralizmin.

Xi Jinping theksoi gjithashtu se Kina kundërshton politilizimin e vaksinave dhe nacionalizimin e vaksinave dhe dëshiron të nxitë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare shpërndarjen e barabartë të vaksinave duke dhënë kontribut për mposhtjen sa më parë të pandemisë.

Nga ana e saj, Merkel tha se bota e sotme përballet me shumë probleme e sfida dhe Gjermania e Kina dhe Europa e Kina duhet të forcojnë bashkëpunimin për t’i përballuar së bashku. Forcimi i dialogut dhe i bashkëpunimit midis Europës e Kinës jo vetëm përputhet me interesat e dy palëve, por është gjithashtu në favor të botës, Gjermania dëshiron të luajë rol aktiv për këtë. Gjermania i kushton rëndësi “Planit të 14-të 5-vjeçar” dhe pret që ky plan t’i sjellë bashkëpunimit dypalësh mundësi të reja. Gjermania do të forcojë shkëmbimet e bashkëpunimin me Kinën në fushën e luftës kundër pandemisë, të ndryshimit të klimës, të biodiversitetit etj. (Foto nga VCG)