Gjatë pushimeve të Ditës së sivjetshme “Qingming”, qytetarët në Kinë udhëtuan brenda vendit dhe konsumi në fusha të ndryshme u rrit dukshëm. Sipas të dhënave, gjatë pushimit treditor, 102 milionë vetë udhëtuan brenda vendit, ky numër arriti në mbi 90% të numrit të udhëtarëve në të njëjtën periudhë para shpërthimit të pandemisë së COVID-19. Ndërsa, të ardhurat nga turizmi arritën në 27 miliardë e 168 milionë juanë (afro 4 miliardë dollarë).

Shtimi i udhëtarëve gjatë pushimeve nxiti rritjen e numrit të pasagjerëve që udhëtuan në rrugë ajrore, tokësore hekurudhore etj. Nga 3 deri më 5 prill, numri i udhëtarëve në mbarë Kinën kaloi 140 milionë, një shtim 142% në krahasim me pushimet e Ditës së vjetshme “Qingming”.Nga këto, pasagjerët që udhëtuan me avion u shtuan 256.4% dhe numri mesatar ditor i pasagjerëve me linja hekurudhore arriti mbi 10 milionë.

Entuziazmi i qytetarëve kinezë për vizita turistike gjatë këtij pushimi nxiti rimëkëmbjen e konsumit në sektorët e transportit, të qëndrimit në hotel, të kulinarisë etj. Sipas të dhënave, gjatë pushimeve të festës, rezervimet turistike u shtuan mbi 450% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të rinjtë e lindur pas vitit 1995 zunë pjesën më të madhe të numrit të turistëve.

Krahas këtyre, në pushimet e Ditës “Qingming”, kinematë e vendit regjistruan një rritje të lartë të ardhurash nga shitja e biletave. Gjatë 3 ditëve, të ardhurat e përgjithshme të shitjes së biletave kaluan 800 milionë juanë duke shënuar rekord të ri në të ardhurat e biletave në festën “Qingming”.

Me heqjen e kufizimit ndaj numrit të konsumatorëve në vendet e argëtimit pas uljes së rreziqeve të pandemisë, janë rimëkëmbur dukshëm sektorët përkatës. Drejtori i shoqatës kërkimore të zhvillimit ekonomik të Kinës Huang Taiyan tha:

“Falë zhvillimit të kërkesave të reja, tani konsumi në sektorin kulturor, turistik etj. është rritur shumë shpejt.” (Foto nga VCG)