Një ekip i pavarur ekspertësh që studioi gjurmueshmërinë e virusit COVID-19 do të publikojë një raport të plotë të martën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Duke filluar nga 14 janari, një ekip i përbashkët ekspertësh OBSh-Kinë me 34 anëtarë kreu një mision kërkimor 28-ditor në Wuhan, qyteti kinez ku u raportua për herë të parë epidemia. Ky mision ishte pjesë e përpjekjes për bashkëpunim shkencor për gjurmimin e origjinës së virusit.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Kina ka mbajtur komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me OBSh-në në një frymë të hapur dhe transparente, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin. Kjo ka përfshirë ofrimin e masave të kontrollit, planeve të trajtimit dhe rezultateve të studimit me botën.

Në maj të vitit 2020, Asambleja e 73-të Botërore e Shëndetësisë kërkoi që Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus të punojë me partnerët për të identifikuar burimin zoonotik të virusit COVID-19 dhe rrugën e transmetimit të virusit tek njeriu, përfshirë rolin e mundshëm të bartësve të ndërmjetëm.

Presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu mbështetje, duke thënë në hapjen e veprimtarisë se: "Ne gjithashtu duhet të vazhdojmë të mbështesim kërkimin global nga shkencëtarët mbi burimin dhe rrugët e transmetimit të virusit."

Në një konferencë për shtyp në fillim të këtij viti, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying vuri në dukje se Kina "ftoi ekspertë të OBSh-së për bashkëpunim përkatës ndërkombëtar në shkurtin dhe korrikun e kaluar" ndërsa vendi ishte " ende përballë një detyre të mundimshme anti-epidemike të brendshme".

Në një intervistë muajin e kaluar, Peter Daszak, një anëtar i ekipit të OBSh-së që udhëtoi në Wuhan, hodhi poshtë pretendimet se pala kineze refuzoi të ndajë të dhëna të rëndësishme, duke theksuar se ekipi pati "qasje në të dhëna të reja shumë kyçe gjatë gjithë kohës". "Si udhëheqës i grupit të punës për kafshët / mjedisin, ndieva besim dhe sinqeritet nga homologët e mi në Kinë," shkroi ai në Twitter.

Kryeministri kinez Li Keqiang gjithashtu vuri në dukje se Kina "ka vepruar në një mënyrë të bazuar në fakte dhe me një qasje të hapur, transparente dhe bashkëpunuese".

Duke folur në një konferencë shtypi pas përfundimit të sesionit të katërt të Asamblesë Kombëtare Popullore në Pekin, kryeministri Li theksoi se Kina do të vazhdojë të punojë me OBSh-në për gjurmimin e burimit të COVID-19. (Albana)