Më 12 mars, në sesionin e 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë, në emër të 64 vendeve, Kuba u bëri thirrje palëve të ndryshme të nxitin dhe mbrojnë të drejtat e njeriut nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe të kundërshtojnë politizimin e problemeve të të drejtave të njeriut dhe standardet e dyfishta. Përfaqësuesi i Kubës e vlerësoi lart qeverinë kineze për këmbënguljen në konceptin e vendosjes së popullit në qendër dhe arritjet në çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Ai theksoi gjithashtu se Xinjiang-u është një pjesë e pandarë e Kinës dhe i nxiti palët e ndryshme të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nëpërmjet problemit të Xinjiang-ut.

Po atë ditë, në emër të një grupi vendesh, Kina bëri thirrje për dialog e bashkëpunim dhe kundërshtoi standardet e dyfishta dhe politizimin e çështjes së të drejtave të njeriut në sesionin e 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut.

Duke mbajtur një deklaratë të përbashkët në emër të rreth 20 vendeve, ambasadori Chen Xu, kryetari i Misionit Kinez në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, tha se disa vende me motive politike, bëjnë akuza të pabazuara kundër vendeve në zhvillim dhe ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera.

"Këto vende shpërfillin problemet serioze të të drejtave të njeriut të tyre dhe tregojnë me gisht të tjerët, duke demonstruar se të drejtat e njeriut janë vetëm një mjet i tyre për manipulimin politik," tha Chen-i.

Nëse ata synojnë vërtet të promovojnë të drejtat e njeriut, duhet të trajtojnë problemet e të drejtave të njeriut të rrënjosura thellë, që përfshijnë diskriminimin racial, pabarazinë shoqërore dhe brutalitetin policor, dhe të mbrojnë të drejtat e refugjatëve dhe të migrantëve, tha Chen Xu në deklaratë.

"Ata duhet të ndërmarrin masa efektive në trajtimin e pandemisë së COVID-19 dhe parandalimin e humbjes së jetëve të qytetarëve të tyre, dhe të sigurojnë shpërndarjen e drejtë e të barabartë të vaksinave në botë," shtoi ai.

I dërguari kinez theksoi më tej se nëse këto vende me të vërtetë dëshirojnë të promovojnë e të mbrojnë të drejtat e njeriut, ato duhet t'i ndihmojnë vendet në zhvillim në përpjekjet për realizimin e zhvillimit të qëndrueshëm e të kontribuojnë në eliminimin e varfërisë, urisë e sëmundjeve në tërë botën. (Xu Guang)