Studioja e CGTN-it (Foto nga "the Paper")

Kina kundërshton kategorikisht vendimin e Autoritetit të Komunikimit (Ofcom) të Britanisë, që dënoi me gjobë Rrjetin Televiziv Global të Kinës (CGTN), duke thënë se ky veprim vendos "pengesa ndaj zhvillimit të punës normale të medies kineze në Britani," u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian në një konferencë shtypi të mërkurën.

Ofcom-i vendosi një gjobë prej 225 mijë paundësh (afro 310 mijë e 933 dollarë amerikanë) ndaj CGTN-it për "shkeljen e rregullave të drejtësisë, privatësisë dhe paanësisë". Para kësaj, Ofcom-i anuloi lejen e transmetimit të CGTN-it në Britani.

Ndërtesa ku ndodhet zyra e CGTN-it në Britani në Parkun Chiswick të Londrës (foto nga "People Visual")

"Puna që duhet të bëjë Ofcom-i, është hetimi dhe ndëshkimi i disa mediave britanike për raportimet e tyre të pavërteta dhe të rreme prej kohësh lidhur me Kinën dhe Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut," tha Zhao, duke u kërkuar Ofcom-it dhe individëve përkatës në Britani të ndalojnë menjëherë manipulimin politik dhe të ndreqin gabimet e tyre.

Ai shtoi se Kina rezervon të drejtën për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme të përligjura dhe të domosdoshme.

Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës (foto nga MPJ)

Duke folur mbi rastin e dënimit me burgim dy vjet e gjashtë muaj të ish-gazetarit britanik Peter William Humphrey për zotërimin e paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve kinezë, Zhao Lijian shpjegoi:

"Faktet e krimit të Humphrey-t janë shumë të qarta. Ai zhvilloi në mënyrë të fshehtë të ashtuquajturat hetime për afro 1 mijë kompani dhe individë. Ai siguroi në mënyrë paligjshme me qindra të dhëna personale nga shtetasit nëpërmjet blerjes së paligjshme, ndjekjes e fotografimit sekret, dhe pastaj i përdori për të fabrikuar të ashtuquajturat "raporte hetimi", dhe ua shiti ato klientëve me çmim të lartë, që të siguronte përfitime."

"Gjatë periudhës së burgimit, të gjitha të drejtat dhe interesat e tij të ligjshme mbrohen sipas ligjit," shtoi zëdhënësi. (Wang Lei/ Artani)