Shkalla e përgjithshme e taksave e vendosur për mallrat e importuara në Kinë u ul me më shumë se një të katërtën gjatë Planit të 13-të Pesë-vjeçar (2016-2020), duke arritur një minimum të të gjitha kohërave, njoftoi Administrata e Përgjithshme Kineze e Doganave, citon “Xinhua”.

Shkalla e përgjithshme e taksave, shpjegoi Jiang Feng, zyrtar i administratës kineze, ra nga 21.8% në 15.8% gjatë kësaj periudhe. Rënia e ndjeshme e normave, shtoi zyrtari, është për shkak të uljes së konsiderueshme të TVSH-së dhe tarifave doganore.

Sipas Jiang, gjatë pesë viteve të fundit shuma totale e detyrimeve doganore dhe taksave të mbledhura, kryesisht TVSH-ja dhe taksa e konsumit për mallrat e importuara, është rritur me 8.7% në 8990 miliardë juanë (rreth 1.390 miliardë dollarë). (Irma)